Kosova vs Greqia, statistikat e katër përballjeve në histori mes tyre

  • A.P /
  • 16 December 2021 - 19:27
Kosova vs Greqia, statistikat e katër përballjeve në histori mes tyre

Në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, 2022/23.

Kosova është hedhur në Grupin 2 të Ligës C dhe do të ketë punë me fituesin e ndeshjes mes Qipros e Estonisë, me Greqinë sërish dhe me Irlandën e Veriut.

Kosova e njeh shumë mirë në këtë grup Greqinë, që ka luajtur katër sfida në një periudhë të shkurt kohore.

Më 6 shtator të vitit të kaluar në Prishtinë, Kosova u mund 1-2 nga Greqia në Fadil Vokrri në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Ishte edicioni i dytë i kësaj gare.

Më 14 tetor të vitit të kaluar, Greqia e Kosova luajtën pa gola në Athinë.

Fitues nuk kanë dhënë as dy ndeshjet e këtij viti, që i takuan eliminatoreve për Botërorin 2022. Më 5 shtator në Prishtinë, Kosova e Greqia luajtën 1:1. Me rezultat të njëjtë përfundoi edhe ndeshja në Athinë, e luajtur më 14 nëntor.

Kosova i shpëtoi për pak edicionin e kaluar rënies në Ligën D, duke përfunduar e treta në Grupin 3 të Ligës C.

Objektivi këtë edicion do të jetë një hap më lart, por fillimisht Kosova duhet të gjejë trajnerin pas shkarkimit të Bernard Challandes. 

(Kosova Sot Online)