Rrahmani pas fitores së madhe të Napolit: Nga Milano me dashuri

  • S.A /
  • 20 December 2021 - 10:52
Rrahmani pas fitores së madhe të Napolit: Nga Milano me dashuri

Amir Rrahmani i është gëzuar triumfit të skuadrës së vet Napoli 1:0 kundër Milanit, në një ndeshje direkte të skuadrave në garë për titull në Serie A të dielën. Elis Elmas e shënoi golin e vetëm në San Siro për t’ia siguruar Napolit fitoren e parë pas dy humbjeve dhe një barazimi në tri ndeshjet e fundit në ligë.

Përfaqësuesi dhe kapiteni i Kosovës Rrahmani ishte kyç në mbrojtjen e Napolit, duke u përkujdesur që Davide Ospina të mos pësonte gol.

Në mungesë të Kalidou Koulibaly, mbrojtësi prishtinas ishte komandanti i mbrojtjes napolitane dhe disa ndërhyrje të tij ndaj dyshes Zlatan Ibrahimovic dhe Olivier Giroud ishin vendimtare.

Në një reagim pas ndeshjes në rrjetet sociale, Rrahmani e postoi një fotografi ku shihet duke e përqafuar bashkëlojtarin e tij nga Maqedonia e Veriut Elmas me mbishkrimin: “Nga Milano dhe dashuri”. 27-vjeçari i ka bërë 15 paraqitje deri tani këtë sezon në Serie A, duke kontribuuar edhe me dy gola.

Kosovari ia zuri vendin në formacionin titullar Kostas Manolasit dhe e detyroi atë të kthehej në Greqi së fundmi, duke e formuar një partneritet të pathyeshëm me Kalidou Koulibaly.

Napoli kishte lëshuar pikë në katër prej pesë ndeshjeve të fundit, duke i humbur tri prej tyre, prandaj fitorja ndaj rivalit direkt për titull ishte me patjetër për skuadrën e Luciano Spallettit.

Këto tri pikët nënkuptojnë se Napoli tani e kalon Milanin në vendin e dytë në tabelën e Serie A me pikë të barabarta, 39, por ngel katër pikë mbrapa liderit dhe kampionit në fuqi Inter.

(Kosova Sot Online )