I dëbuar nga Arsenal, Aubameyang gjen shpëtim te Gaboni

  • S.A /
  • 22 December 2021 - 11:49
I dëbuar nga Arsenal, Aubameyang gjen shpëtim te Gaboni

Pierre-Emerick Aubameyang nuk po kalon një moment të mirë. Javën e kaluar, Mikel Arteta, trajner i Arsenalit, i hoqi shiritin e kapitenin, pasi nuk u kthye në kohë nga një udhëtim i autorizuar nga klubi në Francë për të parë nënën e tij. Por ndëshkimi nuk u ndal me kaq. Që atëherë, trajneri spanjoll nuk e ka llogaritur për ekipin dhe për më tepër nuk është stërvitur me lojtarët e tjerë të skuadrës së parë.

Megjithatë, jo gjithçka është një lajm i keq për futbollistin. Gaboni i ka dërguar ftesë për Kupën e Afrikës, e cila luhet nga 9 janari deri më 6 shkurt. Për Aubameyang një mundësi e mirë për të ndërruar ambient dhe për t’u kthyer në formën më të mirë.

Pas tri ndeshjesh pa u thirrur, Arteta e ka lënë sërish jashtë për takimin që Arsenali luan sot, kundër Sunderlandit, në Kupën e Ligës. “Ne vazhdojmë me të njëjtin vendim. Ai nuk është përzgjedhur për ndeshjen e sotme”, – shpjegoi shkurt trajneri spanjoll.

Kjo situatë e largon më shumë sulmuesin nga Arsenali. Janë disa klube të interesuara për të marrë shërbimet e tij në këtë merkato dimërore. Barcelona e ka në listë si një tjetër opsion për sulmin, nëse nuk arrin të nënshkruajë me Cavanin.

(Kosova Sot Online )