Gjesti i mrekullueshëm i Granit Xhakës për tifozin e përjetshëm të Arsenalit

  • S.A /
  • 27 December 2021 - 12:25
Gjesti i mrekullueshëm i Granit Xhakës për tifozin e përjetshëm të Arsenalit

Granit Xhaka e ka bërë një veprim për t’u duartrokitur ndaj një tifozi të zjarrtë të Arsenalit, duke ia dhënë atij mundësinë për ta parë në stadiumin ndeshjen e skuadrës së zemrës, pasi ai kishte mbetur i zhgënjyer me shtyrjen e ndeshjes kundër Wolves.

Një tifozit të përjetshëm të Arsenalit nga Amerika, i cili e kishte kuptuar se ndeshja kundër Wolves ishte shtyrë pak minuta pasi ai kishte zbritur nga aeroplani në Londër, i është dhënë një mundësi i dytë për t’i parë idhujt e tij.

Jack Robinson kishte fluturuar bashkë me gruan e vet nga Missouri në Londër, pasi e kishte aranzhuar udhëtimin për Angli gjashtë muaj më parë, për ta festuar 10-vjetorin e martesës.

Pasi e kishte humbur mundësinë ta shihte turin parasezonal të Arsenalit në Amerikë, për shkak se ishte anuluar, Robinson e kishte blerë një biletë për Anglinë me shpresën se do ta shikonte ndeshjen e Arsenalit kundër Wolves në Emirates Stadium këtë të marte.

Por tamam kur ai dhe gruaja e tij kishin mbërritur në Londër, Premierliga njoftoi se ndeshja Arsenal – Wolves u shty për shkak të rasteve të shumta me koronavirus në këtë të fundit.

Xhakës i ra në sy shkrimi emocional i Robinsonit në rrjetet sociale dhe mesfushori shqiptar i Zvicrës vendosi ta kontaktojë amerikanin për ta ftuar në ndeshjen e ardhshme të Arsenalit kundër gjigantit Manchester City më 1 janar.

“Përshëndetje Jack, sapo mbërrita në shtëpi nga ndeshja dhe e pashë shkrimin tuaj në Twitter se ju dhe gruaja juaj keni udhëtuar nga Amerika për ndeshjen tonë kundër Wolves”, shkroi Xhaka në Instagram.

“E kuptova se ju u trishtuat për shkak të shtyrjes së ndeshjes, pasi kishit pritur shumë kohë për të ardhur për të na shikuar neve. Nëse jeni në Londër më 1 janar, (mund të vini) për ndeshjen Arsenal – Manchester City si mysafiri im, për t’iu falënderuar për përkushtimin tuaj ndaj Arsenalit. A do të ishte në rregull për ju?” i tha Xhaka atij.

Robinson iu përgjigj Xhakës duke e falënderuar për gjestin e mrekullueshëm: “Fjalët nuk mund ta përshkruajnë se si ndihem tani.. ju na kontaktuat neve… ju nuk mund ta kuptoni se çfarë do të thotë kjo për ne”.

Arsenali e pret Manchester Cityn të shtunën në Ditën e Vitit të Ri në Emirates Stadium.

(Kosova Sot Online )