Mbappe dhe Lewandowski kundër mbajtjes së Kupës së Botës çdo dy vjet

  • S.A /
  • 28 December 2021 - 09:57
Mbappe dhe Lewandowski kundër mbajtjes së Kupës së Botës çdo dy vjet

Kylian Mbappe dhe Robert Lewandowski kanë ngritur shqetësime rreth mbajtjes së Kupës së Botës çdo dy vjet, duke thënë se ajo do ta humbiste rëndësinë. FIFA ka propozuar mbajtjen e Botërorit çdo dy vjet në vend se të mbahet çdo katër vjet. 

Sipas shtëpisë së futbollit botëror, mbajtja e Kupës së Botës çdo dy vjet do të sillte më shumë se 3.3 miliardë euro të hyra gjatë një periudhe katërvjeçare.

“Kupa e Botës është Kupë e Botës. Është diçka e veçantë sepse mbahet çdo katër vjet”, tha Mbappe.

UEFA, ligat e mëdha evropiane dhe shtëpia e futbollit të Amerikës Jugore e kanë kundërshtuar planin e FIFA-s.

“Është gjëja më e mirë, gara më e mirë në botë. Nëse mbahet çdo dy vjet, atëherë fillon të duket normale të luash në Kupën e Botës, dua të them se kjo nuk është normale. Duhet të jetë e mahnitshme”, theksoi Mbappe i cili e fitoi Botërorin 2018 me Francën.

Sulmuesi i Bayern Munich dhe Polonisë, Robert Lewandowski, i bëri jehonë komenteve të sulmuesit francez për këtë çështje.

“Ne kemi shumë ndeshje çdo vit, shumë javë të vështira, jo vetëm ndeshjet por edhe përgatitjet për sezonin, përgatitjet për turnet e mëdhenj”, tha Lewandowski.

“Nëse doni të ofroni diçka të veçantë, diçka ndryshe, kemi nevojë për pushim. Nëse e kemi Kupën e Botës çdo dy vjet, atëherë pritet që niveli i lojës së futbollistëve të bjerë. Fizikisht dhe mendërisht është e pamundur”, shtoi 33-vjeçari.

(Kosova Sot Online )