Ndeshja Juventus – Napoli mund të shtyhet

  • S.A /
  • 28 December 2021 - 10:02
Ndeshja Juventus – Napoli mund të shtyhet

Ndeshja e Serie A mes Juventusit dhe Napolit është në rrezik të shtyhet, pas një rritje të rasteve me Covid-19 në klubin napolitan. Varianti i ri i koronavirusit, Omicron, i cili njihet për përhapje shumë më të shpejt se variantet e kaluara, ka shkaktuar kufizime të mëdha në Evropë dhe në botën e futbollit javët e fundit.

Në Itali numri i futbollistëve të prekur me virus është duke u rritur në prag të rifillimit të sezonit më 6 janar.

Juventusi e pret Napolin më 6 janar, pas pushimit të Krishtlindjes, por ka rrezik që kjo ndeshje të shtyhet për një datë të më vonshme për shkak të rritjes së rasteve me virus në mesin e lojtarëve të Serie A.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Napoli, Antonio D’Amore, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për vendosjen e masave të reja për ta parandaluar shpërndarjen e virusit.

“Jemi shumë të shqetësuar për Omicronin. Disa lojtarë duhet të kthehen nga pushimet dhe nuk mendoj se Fabian Ruiz mund të kthehet nga Spanja lehtë. Gjendja duhet të vëzhgohet”, tha ai.

Javën e kaluar, Drejtoria e Shëndetësisë në Salerno nuk e lejoi Salernitanan të udhëtojë drejt Udineses, duke ia dhënë kësaj të fundit një fitore në tavolinë prej 3:0.

(Kosova Sot Online )