“Zhdukesh nga radari” – Insigne paralajmërohet ta refuzojë Toronton

  • S.A /
  • 29 December 2021 - 10:25
“Zhdukesh nga radari” – Insigne paralajmërohet ta refuzojë Toronton

Vazhdon të diskutohet super oferta e Torontos për Lorenzo Insigne, por sulmuesi italian është paralajmëruar nga një bashkëkombës i veti që ta hedhë poshtë atë.  

Kapitenit të Napolit i skadon kontrata më 30 qershor 2022 dhe tundohet nga propozimi i klubit kanadez, i cili po përpiqet ta bindë atë të kalojë në MLS me një propozim ekonomik marramendës: 16 milionë euro në sezon, plus bonuse, për pesë vite.

Në mikrofonat e “Corriere dello Sport” është Sebastian Giovinco, ish-sulmues i Torontos nga janari 2015 deri në shkurt 2019, që foli për transferimin e mundshëm të Insigne në Kanada.

“A e kam dëgjuar lajmin? Më pyesin gjatë gjithë kohës. Në fakt, këtu janë të sigurt që është e kryer. E presin në mars. Por më duket e çuditshme, sepse ai është kapiten i Napolit dhe nuk mendoj se do të heqë dorë nga një ekip që lufton për titullin në Itali”.

Një mundësi e mirë apo një ide e çmendur? Giovinco paralajmëron Insigne: “Varet se çfarë dëshironi. Personalisht, jam ndier rehat në nivel njerëzor dhe kam gjetur një qytet ku jeta është e lehtë. Në nivel profesional duhet të mendoni se zhdukeni nga radari. Kam humbur kombëtaren, kam humbur shikueshmërinë. Nëse jeni të gatshëm të hiqni dorë nga këto gjëra, është një përvojë që ua rekomandoj të gjithëve”.

(Kosova Sot Online )