Katër futbollistë të Chelseat çohen kundër bashkëlojtarit të tyre Romelu Lukaku

  • S.A /
  • 03 January 2022 - 16:21
Katër futbollistë të Chelseat çohen kundër bashkëlojtarit të tyre Romelu Lukaku

Katër futbollistë të Chelseat e kanë ngritur zërin kundër bashkëlojtarit të tyre, Romelu Lukaku, pas një interviste tejet kundërthënëse të sulmuesit belg që shkaktoi trazirë në Stamford Bridge.

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, do të bisedojë sot me Lukakun për të ardhmen e tij në Stamford Bridge. Tuchel e la Lukakun jashtë skuadrës së Chelseat për përballjen e së dielës me Liverpoolin në Premierligë, pas fjalëve të sulmuesit belg gjatë një interviste të xhiruar javë më parë por që u transmetua të enjten.

Lukaku tha në intervistë se nuk ndihej i lumtur me rolin e tij nën udhëheqjen e Tuchel këtë sezon.

Ai foli edhe për dëshirën për t’u kthyer në Inter së shpejti, klubin të cilit Chelsea ia pagoi 115 milionë euro për shërbimet e tij.

Gazeta britanike The Athletic raporton se Jorginho, Cesar Azpilicueta, N’Golo Kante dhe Antonio Rudiger janë në mesin e një grupi të vogël lojtarësh që janë takuar me Tuchel për të shprehur pakënaqësinë e tyre deklaratat e Lukakut.

Ata janë pajtuar me trajnerin gjerman për t’i dënuar deklaratat e belgut dhe për të mos e thirrur atë në skuadër për ndeshjen e fundjavës.

Një burim i ka thënë gazetës britanike: “Kam folur me një lojtar të Chelseat dhe e kam pyetur nëse ndonjë bashkëlojtar e mbështet atë. Ai më ka thënë jo, askush nuk mund ta besojë çfarë ka bërë ai”.

(Kosova Sot Online )