Barcelona e thërret Dani Alvesin për ndeshjen e kupës kundër Linares

  • S.A /
  • 05 January 2022 - 09:55
Barcelona e thërret Dani Alvesin për ndeshjen e kupës kundër Linares

Dani Alves është ftuar nga trajneri Xavi për ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Linares të mërkurën, por mbrojtësi brazilian është ende në pritje të konfirmimit se është regjistruar si lojtar i Barçës.

Barça e publikoi mëngjesin e sotëm listën me futbollistët e ftuar për takimin e 1/16 së finales kundër Linares në Kupën e Mbretit.

Alvesi iu ribashkua Barcelonës muajin e kaluar dhe që prej atëherë ka qenë në pritje për t’u regjistruar.

Nëse La Liga e konfirmon regjistrimin e tij si lojtar i Barcelonës, atëherë braziliani pritet të debutoj për herë të dytë për klubin katalonas.

Ai e kishte shijuar një periudhë tejet të suksesshme në Camp Nou nga viti 2008 deri në vitin 2016.

Në dhjetorin e kaluar, Alves nënshkroi marrëveshje me Barçën deri në përfundim të këtij sezoni.  

Ndërkohë, në listë është edhe Ousmane Dembele, pasi është shëruar nga koronavirusi.

Por Xavi do të përballet me 14 mungesa edhe në këtë takim, si pasojë e infektimit me Covid-19 dhe lëndimeve. 

(Kosova Sot Online )