Ky është vendi ku po mbahet i ngujuar Novak Djokovici

  • S.A /
  • 06 January 2022 - 09:55
Ky është vendi ku po mbahet i ngujuar Novak Djokovici

Tenisti serb Novak Djokovic nuk u lejua të futet në Australi të mërkurën, pasi autoritetet e këtij vendi thanë se ai nuk i kishte plotësuar kërkesat për Covid-19.

Menjëherë pas vendimit për t’ia ndaluar hyrjen në Australi, Djokovici u dërgua në Park Hotel, një ndërtesë karantinimi në Melbourne, pasi u mbajt në aeroportin e qytetit për nëntë orë të tëra.

Djokovic – i cili është tenisti numër një në botë – nuk do të jetë në gjendje ta mbrojë titullin në Australian Open më 17 janar, pasi do të dëbohet për në Serbi.

Park Hotel, ku po mbahet ai deri në dëbimin e tij, përdoret nga qeveria australiane për ndalimin e njerëzve që futen në vend pa vizë. Shumë prej tyre mbesin aty me vite në kërkim të vizave për të mbetur në Australi.

Park Hotel ku po mbahet Djokovici

Më shumë se 20 persona thuhet se ndodhen në atë ndërtesë tani për tani.

Ekipi ligjor i Djokovicit është ankuar ndaj vendimit të autoriteteve për anulimin e vizës së tenistit serb dhe është në pritje të vendimit të gjykatës.

Sipas mediave australiane, gjykata mund të vonohet në dhënies e vendimit dhe Djokovic mund të mbahet në Park Hotel deri të hënën.

Djokovic është nëntë herë kampion i Australian Open dhe po shpresonte se këtë vit do ta thyente rekordin për më së shumti tituj grand slam në histori, pasi ai ka 20, aq sa Roger Federer dhe Rafael Nadal.

Image

(Kosova Sot Online )