Derbi Milan – Roma i kushtëzuar nga mungesa të shumta

  • S.A /
  • 06 January 2022 - 10:45
Derbi Milan – Roma i kushtëzuar nga mungesa të shumta

Roma zbarkon në Milano për t’u përballur me kuqezinjtë e Stefano Piolit, në javën e parë të fazës së dytë të kampionatit italian. Një ndeshje e shënjuar nga mungesa të shumta.

Milani njoftoi mbrëmë pozitivitetin e tre lojtarëve, të cilët i shtohen një liste tashmë shumë të gjatë të të padisponueshmëve. Sidoqoftë, Stefano Pioli nuk kërkon justifikime:

“Nuk është një fazë normale për askënd për momentin, për klubet dhe të gjithë qytetarët. Objektivi i parë është të ruajmë shëndetin e të gjithëve, ne jemi shumë të vëmendshëm ndaj protokolleve. Duhet ta rrisim vigjilencën të gjithë. Vëmendje në punë, të gjithë duhet të jenë të gatshëm dhe të disponueshëm për të luajtur, sepse e papritura është te dera”.

Lidhur me qëllimet e Milanit, trajneri Pioli shtoi: “Duhet të zhvillojmë një fazë të dytë me shpejtësi të lartë, duke u përpjekur të fitojmë sa më shumë ndeshje të jetë e mundur dhe të marrim më shumë pikë se fazën e kaluar”.

Josè Mourinho kthehet në Milano dhe nuk dëshiron alibi: “Kur një skuadër ka tre apo katër lëndime, rezultati nuk shtrembërohet, kështu që edhe në këtë rast është njësoj. Ka rregulla, padyshim nëse një skuadër nuk ka as një portier gati do të ishte çmenduri, padrejtësi të luanim.

Po flas për rregullat, minimumin e lojtarëve që duhet të kemi në dispozicion. Për ne që kemi katër ose pesë lojtarë të padisponueshëm është problem, por nuk mendoj se rezultati del i shtrembëruar nga kjo. Më vjen keq për tifozët, të cilët ishin 75% dhe tani kuota është kthyer në 50%”.

Formacionet e mundshme:

MILAN (4-2-3-1):Maignan; Florenzi, Kalulu, Gabbia, T.Hernandez; Tonali, Bakayoko; Messias, B. Diaz, Saelemaekers; Ibrahimovic.

ROMA (3-5-2): Rui Patricio; Mancini, Smalling, Ibanez; Karsdorp, Veretout, Cristante, Lo. Pellegrini, Vina; Zaniolo, Abraham.

(Kosova Sot Online )