Novax: Kur Djokovici organizonte turne e ahengje që infektonin qindra njerëz dhe tenistë nëpër Ballkan

  • S.A /
  • 06 January 2022 - 12:04
Novax: Kur Djokovici organizonte turne e ahengje që infektonin qindra njerëz dhe tenistë nëpër Ballkan

Novak Djokovic është duke i vuajtur pasojat e veprimeve dhe qëndrimeve të veta tejet të pakujdesshme dhe kundërthënëse gjatë kulmit të pandemisë së koronavirusit, pasi të mërkurën iu ndalua hyrja në Australi për të marrë pjesë në Australian Open 2020.

Djokovici nuk ishte në gjendje të ofronte dëshmi se ishte plotësisht i vaksinuar apo se kishte arsye ta forta mjekësore për t’u përjashtuar nga marrja e vaksinës gjatë kontrollit në Aeroportin e Melbroune.

Menjëherë pas vendimit për t’ia ndaluar hyrjen në Australi, Djokovici u dërgua në Park Hotel, një ndërtesë karantinimi në Melbourne, pasi u mbajt në aeroportin e qytetit për nëntë orë të tëra.

Ai do të mbahet në katarntinë në Australi deri të hënën kur gjykata do të vendosë ndaj ankesës së tij kundër dëbimit.

Si erdhi deri të kjo?

Është kryekëput faji i Djokovicit për atë që po i ndodh sot. Qëndrimet dhe veprimet e tij gjatë dy viteve pandemi flasin vetë.

Në qershor të vitit 2020, kur pothuajse të gjithë turnet e tenisit ishin anuluar, përfshirë grand slamin prestigjioz Wimbledon, Djokovici u çua dhe e organizoi një turne nëpër Ballkan, i quajtur Adria Tour, përfshirë ahengje nate pas përfundimit të ndeshjeve, që për pasojë patën një shpërndarje të vrullshme të virusit.

Turne u mbajt në Beograd dhe Zadar të Kroacisë, para se 34-vjeçari të detyrohej ta anulonte turin nëpër vendet e tjera të Ballkanit, pasi ai dhe bashkëshortja e tij u infektuan me Covid-19.

Veprimi i pakujdesshëm i serbit çoi në infektimin e qindra njerëzve dhe dhjetëra lojtarëve të tjerë të tenisit.

Përqafimet, përshëndetjet dorë për dore dhe ahengjet e natës në turneun e organizuar pa asnjë protokoll për mbajtje të distancës dhe masave të tjera mbrojtëse, i lanë hije të zezë serbit. Ai ishte kritikuar ashpër për ketë, por as një kaos i tillë nuk e kishte bindur Djokovicin për rrezikun e madh që përbente virusi.

Sepse tenisti serb më vonë doli edhe kundër vaksinës së detyrueshme.

“Personalisht, unë jam kundër vaksinimit dhe nuk dua që dikush të më detyrojë që ta marr një vaksinë në mënyrë që të jem në gjendje të udhëtojë”, kishte thënë Djokovici më 20 prill 2020 gjatë një bisede në Facebook me tenistët e tjerë serbë.

Shumë muaj para Australian Open 2022, i cili nis në 17 janar, organizatori i turneut dhe Shteti i Victorias kishin bërë të ditur se vaksina ishte bërë detyrim për të udhëtuar drejt Melbourne.

Për të marrë pjesë në këtë turne, të gjithë lojtarët dhe stafi i turneut janë të detyruar të ofrojnë dëshmi se janë të vaksinuar apo se përbejnë përjashtim mjekësor nga vaksinimi.

Djokovici nuk ofroi dëshmi të mjaftueshme për bindur se ai kishte arsye të forta për mos qenë i vaksinuar, prandaj edhe nuk iu lejua hyrja në Australi. 

(Kosova Sot Online )