
Babai i Djokovicit reagon përsëri: Mund ta burgoseni, por Novaku është Spartaku i botës së re

Srdjan Djokovic, babai i tenistit serb Novak Djokovic, ka vazhduar me komente qesharake dhe të çuditshme për të birin e ngujuar në një hotel emigrantësh në Australi, duke e quajtur atë “Spartaku i botës së re, i cili nuk do të lejojë padrejtësi”.
Tenisti serb është duke u mbajtur në Park Hotel, një ndërtesë që përdoret nga Qeveria e Australisë për ndalimin e emigrantëve në vend, pasi atij iu refuzua hyrja në Australi të mërkurën.
Djokovic nuk u lejua të futet në Australi për të marrë pjesë në turneun grand slam, Australian Open 2022, pasi autoritetet e këtij vendi thanë se ai nuk i kishte plotësuar kërkesat për Covid-19.
34-vjeçari do të qëndrojë në Park Hotel deri të hënën, kur gjykata e Melbourne do ta marrë vendimin ndaj ankesës së tij kundër dënimit nga Australia.
Pasi dje tha se nëse djalin e tij s’e lirojnë për gjysmë ore, ai do t’i luftojë autoritetet australiane me përleshje fizike në rrugë, Srdjan dha sot për mediat serbe komente edhe më qesharake dhe të çuditshme.
“Ata mund ta burgosin atë sot dhe ta lidhin me zinxhir nesër. E vërteta është se Nole është sikur uji dhe uji e hapur rrugën e vet”, tha babai i tenistit numër një në botë.
Ai shtoi: “Novaku është Spartaku i botës së re, i cili nuk do të lejojë padrejtësi, kolonializëm apo hipokrizi.”
Australian Open 2022 do të nisë më 17 shkurt dhe Djokovic nuk do të mundë ta mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar, i cili ishte i nënti rekord për të, pasi pritet të dëbohet të hënën.
Djokovic po shpresonte se në këtë turne do ta thyente rekordin për më së shumti tituj grand slam në histori, pasi ai ka 20, aq sa Roger Federer dhe Rafael Nadal.
Srdjan njihet për deklarata të çuditshme dhe kontroverse, pasi shpesh herë ka folur publikisht keq për tenisit legjendar zviceran, Roger Federer, si dhe i ka mbrojtur krimet e Serbisë në Ballkan.
(Kosova Sot Online)