Babai i Djokovicit vijon me çudira: Novakun e goditën me 50 plumba në gjoks

  • E.K /
  • 17 January 2022 - 11:17
Babai i Djokovicit vijon me çudira: Novakun e goditën me 50 plumba në gjoks

Srdjan Djokovic, babai i tenistit serb Novak Djokovic, ka vijuar me deklarata të çuditshme në lidhje me vendimin e Australisë për ta dëbuar nga vendi djalin e tij të pavaksinuar.

Srdjan e ka quajtur trajtimin që i është bërë Djokovicit në Melbourne si “tentim vrasje”, pasi atij iu anulua viza dy herë dhe u mbajt në një qendër ndalimi për imigrantë para se të dëbohej përfundimisht të dielën.

34-vjeçari, i cili e ka kundërshtuar vaksinën kundër Covid-19 edhe publikisht, u ndalua nga zyrtarët kufitarë të Australisë menjëherë pasi arriti në Melbourne më 6 janar.

Djokovic u mbajt dy herë në një qendër ndalimi për emigrantët dhe një herë e fitoi gjyqin për marrjen e vizës, por më vonë ministrja e Imigrimit Alex Hawke ia anuloi vizën atij për herë të dytë.

Të dielën në mëngjes, Gjykata Federale e Australisë e mbajti në fuqi vendimin e Hawkes dhe Djokovici u detyrua ta linte Australinë menjëherë dhe tani përballet me ndalimin hyrjeje në Australi për tri vjet.

Babai i tij, Srdjan, u ankua ndaj vendimit të qeverisë Australiane për ta dëbuar atë vetëm një ditë para se të niste turneu Australian Open, në të cilin Djokovici po shpresonte ta thyente rekordin për më së shumti grand slam tituj.

“Tentimi për ta vrarë atletin më të mirë në botë ka përfunduar. 50 plumba në gjoksin e Novakut. Shihemi në Paris”, tha Srdjan.

Djokovic, i cili është i pavaksinuar, mund të mos lejohet të futet as në Francë për grand slamin French Open në maj, nëse qeveria franceze e miraton ligjin që ua ndalon hyrjen në vend të huajve të pavaksinuar. 

(Kosova Sot Online)