Zemërohet keq Granit Xhaka: Vetëm Cana më ftoi te Shqipëria, Federata Shqiptare s’u interesua fare

  • S.A /
  • 18 January 2022 - 09:33
Zemërohet keq Granit Xhaka: Vetëm Cana më ftoi te Shqipëria, Federata Shqiptare s’u interesua fare

Granit Xhaka ka këmbëngulur se Federata Shqiptare e Futbollit nuk e kishte thirrur asnjëherë për ta përfaqësuar Kombëtaren e Shqipërisë, para se ai të vendoste t’i bashkohej Zvicrës.

Duke folur me personazhin e rrjeteve sociale Kozak, mesfushori i Arsenalit zbuloi se i vetmi që kishte biseduar me të për t’iu bashkuar Shqipërisë ishte ish-kapiteni i kuqezinjve Lorik Cana. Xhaka debutoi për Zvicrën në qershor të vitit 2011 dhe që prej atëherë i ka bërë 98 paraqitje, duke i shënuar 12 gola për helvetikët. Vëllai i tij i madh, Taulanti, megjithatë e përfaqësoi Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. “Kjo pyetje që nuk ka marrë përgjigje si duhet. Do të flas për këtë temë dhe do ta mbyll këtë temë. Ishim shumë të rinj, kur babai im na ofroi te Shqipëria, por nuk kishte interesim aso kohe”, ka deklaruar fillimisht Granit Xhaka.

Xhaka u lind në Basel nga prindër shqiptarë, të cilët kishin emigruar në Zvicër nga Podujeva e Kosovës në fillim të viteve 90-ta. “I vetmi njeri që më ftoi te Shqipëria ishte Lorik Cana, nuk ia harroj kurrë. Më telefonoi edhe më pyeti se si ishte situata, por nga FSHF-ja nuk kishte asnjë telefonatë apo takim”, zbuloi ai. “Kjo ishte ana e Shqipërisë. Nga ana e Zvicrës, isha i ri, nuk kisha kohë të mendoja. Dhe kur të ulet Otmar Hitzfeld, trajneri legjendar, i cili më tha se më donte gjithsesi te Zvicra, për mua ishte gjë e madhe”, nënvizoi 29-vjeçari. Xhaka e kishte përfaqësuar Zvicrën edhe në grupmoshat e reja dhe kishte mundësi të ndërronte aleancë kur Kosova u pranua në FIFA dhe në UEFA. Megjithatë, ai vendosi t’i qëndrojë besnik kombëtares helvetike.

(Kosova Sot Online )