Reagon Tennis Australia, pas dëbimit të Novak Djokovicit

  • E.K /
  • 18 January 2022 - 12:28
Reagon Tennis Australia, pas dëbimit të Novak Djokovicit

Tennis Australia ka thënë se ndien keqardhje për ndikimin që dëbimi i Novak Djokovicit e ka pasur te lojtarët e tenisit në turneun Australian Open.

Organizatori i turneut grand slam e pranoi se ka disa mësime që duhet t’i marrë nga e gjithë kjo tollovi.

Tenisti serb Djokovic, i cili nuk është i vaksinuar kundër Covid-19, u dëbua nga Australia të dielën, pasi e humbi betejën në gjykatë për të qëndruar në këtë vend.

Tennis Australia tha se e respekton vendimin e gjykatës dhe shpreson se përqendrimi tani do të kthehet në fushat e tenisit.

“Si familje e Tennis Australia, ne e pranojmë se ngjarjet e fundit i kanë shpërqendruar dukshëm të gjithë. Ka gjithmonë mësime për t’u marrë dhe ne do t’i rishikojmë të gjitha anët e përgatitjeve dhe zbatimeve tona për të njoftuar për planet tona, siç bëjmë çdo vit”, thuhet në një njoftim të organizatorit të turneut Australian Open.

34-vjeçarit i ishte pranuar një përjashtim mjekësor nga marrja e vaksinës për të hyrë në Australi nga dy panele mjekësore – njëri i thirrur nga Tennis Australia dhe tjetri nga qeveria e shtetit të Victorias – pasi kishte dalë pozitiv në testin për koronavirus në mes të dhjetorit.

Megjithatë, Forca Kufitare e Australisë e ndaloi 20 herë fituesin e titujve grand slam më 5 janar për shkak se nuk i kishte plotësuar kërkesat e qeverisë federale për koronavirusin dhe si pasojë viza e tij u anulua.

Një gjykatë e shfuqizoi atë vendim, por qeveria ia anuloi vizën përsëri të premten, duke thënë se ishte në interes të publikut.

(Kosova Sot Online)