Alvesi i lutet Barcelonës: Ktheje Messin në klub

  • A.P /
  • 19 January 2022 - 15:49
Alvesi i lutet Barcelonës: Ktheje Messin në klub

Dani Alves e ka shprehur dëshirën për të luajtur përsëri me Lionel Messin në Barcelonë, duke i bërë thirrje klubit katalonas ta kthejë argjentinasin në Camp Nou.

Messi bëri nam si njëri nga futbollistët më të mirë në historinë e lojës gjatë qëndrimit 20-vjeçar në Barcelonë, para se të largohej verën e kaluar për t’iu bashkuar Paris Saint-Germainit.

Sulmuesi argjentinas u largua nga Camp Nou sepse Barça nuk qe në gjendje t’ia vazhdonte marrëveshjen, për shkak të kufizimeve në paga të vendosura nga La Liga.

34-vjeçari, i cili fitoi tituj të shumtë në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve në fanellën e Barçës, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, iu bashkua PSG-së por Alvesi beson se ai mund të bindet për t’u kthyer në Katalonjë pas vetëm një viti.

Alvesi iu bashkua Barçës muajin e kaluar, duke u kthyer në klub pas pesë viteve e gjysmë por thotë se atmosfera prapa skenave nuk është e njëjta pa Messin.

“Messi është lojtari më i mirë në historinë e futbollit. Është e çuditshme të jesh këtu dhe të mos e shohësh atë, të mos e shohësh atë në skuadër”, tha Alves.

“Nganjëherë gjërat nuk ndodhin siç ëndërrojmë ne. I kam thënë atij se në asnjë vend tjetër nuk do ta ketë më mirë se këtu. Ai më kishte thënë të njëjtën gjë kur u largova”, nënvizoi ai.

“Do të kishte qenë shumë mirë nëse Messi e mbaron karrierën këtu. T’i japë fund karrierës këtu do të kishte qenë dhuratë e madhe për të dhe klubi mund ta rregullojë këtë punë”, shtoi ai.

Messi i shënoi 672 gola në 778 paraqitje për Barcelonën nga viti 2004 deri më 2021, duke i ndihmuar klubit t’i fitojë 35 trofe gjatë asaj kohe. 

(Kosova Sot Online)