Prokuroria nis hetimet ndaj Armand Dukës

  • S.A /
  • 24 January 2022 - 12:21
Prokuroria nis hetimet ndaj Armand Dukës

Vetëm një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), prokuroria e Tiranës i ka filluar hetimet ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Siç njoftojnë mediat e Shqipërisë, prokuroria ka nisur hetimet pas referimit që ka bërë Policia e Shtetit dhe mbi Dukën hidhen dy akuza: “Shpërdorim i detyrës” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.Në fakt, ishte Bashkia e Tiranës, si aksionare e klubit futbollistik Tirana, ajo e cila ka kërkuar hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për Dukën, të cilën e akuzon se ka bërë shkelje e korrupsion qe 20 vjet si kryetar i FSHF-së.Thuhet se fondet e FIFA dhe UEFA të dedikuara për klubet e futbollit të Shqipërisë nuk kanë qarkulluar në mënyrë të rregullt nga Duka.

Prokuroria e Tiranës është në fazën fillestare të hetimit ku po kryen procedurat përkatëse dhe gjithashtu Krimi Ekonomik po i bën hetimet e saj. “Më trego paratë. Duhet transparencë, ke marrë para për të bërë fushat, ku janë fushat, ku janë pagat e luftës, pse nuk i morën shoqatat e Tiranës? More 2 milionë dollarë, ku shkuan? Zhduken paratë dhe dikush duhet të përgjigjet. Kur shikon që në 20 vjet të kanë ikur bashkëpunëtorët tregon se çfarë lidershipi je. Ajo që ndodhi në Durrës, ku u falsifikua firma e kryetarit të bashkisë së Shijakut. Si mund të thuash që ëndrrat e çunave në 20 vjet u vendoskan në Shijak”, ka akuzuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Duka planifikon ta kërkojë mandatin e 6-të në krye të FSHF-së përballë kundërkandidatit të tij, gazetarit Dritan Shakohoxha. Ndërkohë që në një reagim të mbrëmjes së djeshme FSHF i quajti qesharake akuzat e Veliajt, i cili shkoi edhe më tej duke kërkuar hetim ndërkombëtar për Dukën.

“Autogoli mediatik i Bashkisë së Tiranës vërteton ndërhyrjen e dënueshme të saj për të prishur zgjedhjet, të denoncuar nga federata. Ne jemi të sigurt se komuniteti i futbollit në vend do ta konsiderojë në pozicion “jashtë loje” sulmin e Bashkisë së Tiranës ndaj lirisë së zgjedhjeve dhe se nuk do të intimidohet fare nga abuzimet mediatike të Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Përkundrazi, qetësisht do të shkojë në votime duke qenë i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë të panegociueshme me asgjë”, thuhej pos tjerash në reagimin e FSHF-së që drejtohet nga Duka.

(Kosova Sot Online )