
Distria përballet në gjysmëfinale me xhudisten që e eliminoi Erza Muminoviqin

Distria Krasniqi ka mësuar kundërshtaren në gjysmëfinalen e Grand Prix të Portugalisë, në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Kampionia olimpike do të përballet me xhudisten portugeze Joana Diogo në gjysmëfinale.
Diogo paraprakisht e kishte eliminuar xhudisten kosovare, Erza Muminoviqin në raundin e dytë, ndërsa Distria e ka mundësinë që t’i hakmerret.
Ajo në çerekfinale e mposhti xhudisten spanjolle, Ariane Toro Soler. Spanjollja mori tri penalizime, me ç’rast e humbi duelin.
Kampionia olimpike e mposhti xhudisten franceze Leonie Gonzalez në raundin e dytë, duke kaluar kështu në çerekfinale.
Në raundin e parë, Krasniqi kaloi pa luftë, falë sukseseve të mëdha që ka arritur.
Kujtojmë se dy xhudistet tjera kosovare, Erza Muminoviq dhe Flaka Loxha u eliminuan më herët, ndërsa Laura Fazliu do të garojë nesër.
(Kosova Sot Online)