Rafael Nadali i përgjigjet Roger Federerit

  • S.A /
  • 02 February 2022 - 10:24
Rafael Nadali i përgjigjet Roger Federerit

Rafael Nadali ka thënë se mesazhi që rivali i madh i tij Roger Federer ia dërgoi për fitimin e titullit të 21-të rekord do të thotë shumë për të, pasi spanjolli e mundi tenistin rus Daniil Medvedev në finale të Australian Open të dielën. Nadal, numër 6 në botë, u rikthye nga 0:2 në sete për të fituar 3:2, 2-6 6-7 (5-7) 6-4 6-4 7-5, në mënyrën më epike të mundshme kundër numrit dy të botës nga Rusia, të dielën në Melbourne. Triumfi i në Australian Open 2022 nënkupton se Nadali tani ka më shumë tituj grand slam se Federeri dhe se Novak Djokovic, të cilat i kanë nga 20 secili.

Federeri, i cili ka zhvilluar shumë finale kundër Nadalit në të kaluarën, e uroi me plot elegancë spanjollin. Në një postim në Instagram, Federeri shkroi: “Çfarë ndeshje! Mikut dhe rivalit tim të madh, Rafael Nadal, urime të përzemërta që u bëre lojtari i parë që i fiton 21 tituj grand slam.” Nadali, i cili u rikthye së fundmi në Spanjë, u pyet për mesazhin e gjatë dhe të këndshëm që e mori nga zvicerani. “Do të thotë shumë për mua. Ne e kemi një marrëdhënie të mahnitshme. Ne bëmë gjëra të mahnitshme së bashku. Për mua është nder i madh të jem pjesë e kësaj epoke”, tha Nadal pasi u kthye në Spanjë. “Së bashku ne kemi shijuar dhe përjetuar çaste të mahnitshme në historinë e sportit tonë. Për mua do të thotë shumë ta marrë një mesazh të tillë”, theksoi Nadali për mesazhin e Federerit. “Uroj që ai të jetë mirë, ai e di, dhe shpresoj shumë se ai do të jetë në gjendje të luajë përsëri në etapa të rëndësishme”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )