Trajneri gjerman i Kosovës U-21 çuditet me mënyrën si e shkarkoi FFK

  • A.P /
  • 02 February 2022 - 21:46
Trajneri gjerman i Kosovës U-21 çuditet me mënyrën si e shkarkoi FFK

Federata e Futbollit e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ndër tjera vendosi të ndërpresë kontratën trajnerit të Kosovës U-21, Michael Nees, bashkë me të gjithë shtabin teknik.

Por, trajneri gjerman thekson se gjendet në Gjermani, i izoluar pasi është infektuar me Covid-19 dhe nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga FFK.

Ai deklaroi se u njoftua për këtë vendim nga njoftimi i Federatës së Futbollit në webfaqen zyrtare.

“Jam i befasuar me këtë njoftim të uebfaqes së FFK-së. Ende kam kontratë valide me FFK-në dhe të gjithë në FFK kanë qenë të lumtur kur e mposhtëm Shqipërinë në ndeshjen tonë të fundit me grupmoshën U21. Nuk kam dëgjuar asgjë zyrtare nga udhëheqësit e FFK-së në lidhje me këtë njoftim në uebsajt. Askush nuk më ka kontaktuar për këtë çështje nga udhëheqësia e FFK-së dhe nuk veproj mbi bazën e gjërave që fliten. Prandaj, nuk mund të jap ndonjë koment tjetër”, tha Nees.

I pyetur se deri kur është valide kontrata e tij me FFK-në, Nees nuk dha ndonjë datë, por ritheksoi se kontrata e tij është ende në fuqi. Madje, edhe si Drejtor Teknik në FFK, post për të cilin, Federata e Futbollit e Kosovës tha se kontrata i ka skaduar më parë.

“Ende kam kontratë valide si Përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës U21 dhe si Drejtor Teknik i FFK-së. Për momentin, nuk mund të jap më shumë komente”, ka thënë për Kohën Nees.

Michael Nees u caktua trajner i Kosovës U-21 në fund të janarit të vitit të kaluar, duke e zëvendësuar Rafet Prekazin. 

(Kosova Sot Online)