Kapiteni i Kamerunit para përballjes me Egjiptin: Salah nuk më mahnit aspak

  • A.P /
  • 03 February 2022 - 15:08
Kapiteni i Kamerunit para përballjes me Egjiptin: Salah nuk më mahnit aspak

Ylli i Egjiptit Mohamed Salah nuk e mahnit kapitenin e Kamerunit Vincent Aboubakar, i cili pretendon se francezi Kylian Mbappe është në një nivel tjetër krahasuar me sulmuesin e Liverpoolit.

Qëkur iu bashkua Liverpoolit nga Roma në vitin 2017, Salah ka qenë lojtari më i rëndësishëm në skuadrën e Jurgen Kloppit dhe ka luajtur rol kyç në fitimin e Premierligës dhe Ligës së Kampionëve.

Sulmuesi egjiptian e ka vazhduar formën e jashtëzakonshme edhe në sezonin 2021/22, duke i shënuar 16 gola në 20 paraqitje në Premierligë, para se t’i bashkohet Kombëtares për Kupën e Kombeve të Afrikës.

Aboubakar, i cili do të përballet me Salahun në gjysmëfinalen e kësaj gare sot në mbrëmje, nuk është adhurues i 29-vjeçarit.

“E shoh atë siç ishte dikur. Ai po e përjeton një sezon madhështor në Premierligë dhe po e ndihmon vendin e vet të vazhdojë tutje në këtë garë (Kupën e Kombeve të Afrikës). I uroj shumë fat atij. Lë të fitojë më i miri!” tha Aboubakar.

Ai shtoi: “Ai nuk më mahnit shumë mua. E them qartë sepse jam njeri i sinqertë dhe e kam mënyrën time për t’i parë gjërat. Sikur të më kishte mahnitur, do ta kisha thënë. Por ai nuk më mahnit shumë”.

“Ai është lojtar i mirë, shënon shumë gola por nuk prodhon shumë gjëra në lojë. Ai është lojtar i mirë por jo në nivelin e dikujt si Kylian Mbappe”.

(Kosova Sot Online)