Interi rrezikon të mbetet pa lojtarin më në formë për derbin ndaj Milanit

  • A.P /
  • 03 February 2022 - 17:53
Interi rrezikon të mbetet pa lojtarin më në formë për derbin ndaj Milanit

Simone Inzaghi me siguri nuk do të jetë i lumtur në këto momente. Trajneri i Interit po përgatit ndeshjen derbi ndaj Milanos pa lojtarin më në formë të sulmit të tij, një futbollist i cili në ndeshjet e fundit po bën diferencën, Alexis Sanchez.

Kiliani po shfaqet në një formë të shkëlqyer në kampionat me zikaltërit dhe vazhdoi të njëjtën paraqitje edhe me përfaqësuesen e vendit të tij, duke shënuar 2 gola ndaj Bolivisë.

Por pikërisht udhëtimi drejt Amerikës së Jugut për ndeshjet me përfaqësuesen, komplikon planet e Sanchez, pasi rikthimi i tij në Evropë, ka rezultuar më i gjatë se sa parashikohej.

Zhvendosja nga Bolivia drejt Kilit, e më pas drejt Evropës, ka rezultuar problematike për shkak të mospërputhjes së orareve të fluturimeve e kështu, lojtari do të mbërrijë vetëm sot në darkë.

Ndaj ai do të marrë pjesë vetëm në stërvitjen e fundit të ekipit para derbit, duke komplikuar pak planet e Inzaghit për sfidën.

Lajmi i vetëm i mirë është që Lautaro Martinez ka mbërritur në Itali gjatë paradites e kështu, do të jetë i gatshëm edhe për stërvitjen e të enjtes.

(Kosova Sot Online)