Pekin 2022: Tahiri e bart i vetëm flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse, një anëtar i ekipit kosovar me Covid-19

  • S.A /
  • 04 February 2022 - 11:16
Pekin 2022: Tahiri e bart i vetëm flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse, një anëtar i ekipit kosovar me Covid-19

Albin Tahiri do ta bartë i vetëm flamurin e Kosovës në ceremoninë hapesë të Lojërave Olimpike Dimërore 2022 sot në Pekin, me një anëtar të ekipit olimpik kosovar që ka dalë pozitiv në testin për Covid-19. Kosova do të përfaqësohet nga skitarët Tahiri dhe Kiana Kryeziu në paraqitjen e saj të dytë në lojërat dimërore në histori gjatë këtij muaji në Kinë

Ndërkohë, trajneri Agim Popovci ka dalë pozitiv në njërin prej testeve të përditshme për koronavirus dhe është futur në izolim, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës.

Kryeziu, 17 vjeçe – e cila u bë gruaja e parë që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Dimërore – ishte paraparë të barte flamurin e Kosovës së bashku me Tahirin në parakalimin olimpik të ceremonisë hapëse që nis në orën 13:00 sipas kohës sonë.

Por ajo është konsideruar si kontakt i mundshëm me persona që kanë dalë pozitivë me koronavirus, pasi trajneri i saj Popovci doli pozitiv në testin për Covid-19.

Në një njoftim në Facebook, KOK-u shkroi: “Skitarja tjetër, Kiana Kryeziu, që ishte paraparë të mbante flamurin bashkë me skitarin Tahiri, nuk do të lejohet të marrë pjesë në ceremoni, sikurse trajneri Agim Pupovci.”

“Pupovci ka rezultuar pozitiv në njërin nga testet e përditshme për Covid 19 dhe përkundër se është asimptomatik dhe gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë, ai është duke ndjekur rregullat e karantinimit, edhe pse testet e fundit jane negative”.

Kryeziu e siguri pjesëmarrjen në Pekini 2022 pas garës kualifikuese në Itali në fillim të janarit, duke u bërë gruaja e parë që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Dimërore.

Ajo do të garojë në sllallom të madh në garën me ski në Pekin.

Tahiri, i cili bë sportisti i parë që e përfaqësoi Kosovën në Lojëra Olimpike Dimërore duke marrë pjesë në PyeongChang 2018 në Korenë e Jugut, në Pekin 2022 do të garojë në katër disiplina të garës me ski.

32-vjeçari do të garojë nën flamurin e Kosovës në katër disiplina të garës me ski: lëshim, kombinim alpin, sllallom të madh dhe sllallom.

(Kosova Sot Online )