Gramoz Vokrri i hapur të garojë për shef të Federatës, zbulon se FFK-ja ia ndali pensionin pjesërisht familjes së legjendës Vokrri

  • S.A /
  • 07 February 2022 - 09:20
Gramoz Vokrri i hapur të garojë për shef të Federatës, zbulon se FFK-ja ia ndali pensionin pjesërisht familjes së legjendës Vokrri

Djali i legjendës Fadil Vokrri, Gramozi, është shprehur i hapur t’i ndjekë hapat e të atit dhe të kandidojë për president të Federatës së Futbollit të Kosovës, derisa zbuloi se FFK-ja ia ka ndalë pjesërisht pensionin familjes së ish-presidentit pa ndonjë vendim të kuvendit.Në fillim të vitit 2019 Gramozi u largua nga shtëpia e futbollit të Kosovës, të cilën e kishte udhëhequr babai i tij deri kur ndërroi jetë, pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit e saj. Pas 26 vjetëve në Francë, Gramozi ishte kthyer në Prishtinë më 2016 dhe ishte bërë pjesë e FFK-së më 2018, menjëherë pas vdekjes së ish-presidentit Vokrri më 9 qershor. Agim Ademi u emërua pasues i Fadil Vokrrit në krye të FFK-së, pozitë të cilën ai e mban edhe sot, por pas pak muajsh Gramozi kishte mospajtime me të dhe që prej vitit 2019 nuk është pjesë e federatës.

I pyetur nëse do të garonte për shef të futbollit në vend, Gramozi e la të hapur mundësinë, duke thënë se varet nga vullneti i klubeve. “Kjo varet prej vullnetit të klubeve. Nëse klubet e kërkojnë mund të bisedojmë”, tha Gramozi në KTV të dielën vonë. Ai zbuloi edhe një fakt tronditës, se si federata ia ka ndalë pensionin pjesërisht familjes Vokrri, të cilin ajo e gëzonte me një vendim të bordit të FFK-së pas vdekjes së Fadil Vokrrit. “Familjes time pjesërisht i është ndalur pensioni i FFK-së që ia ka dhënë kuvendi i FFK-së. Kuvendi është dashtë të merrte vendim për ndalje të një pjesë të madhe siç është ndalur një pjese e madhe. Por pensioni nuk është problem, nuk jemi familje qe kërkojmë. Me rëndësi ka futbolli, te hapen horizonte te reja”, tha Gramozi. Gramozi e pranoi i ka shkëputur kontaktet me Ademin që prej largimit nga Federata tri vjet më parë. 

(Kosova Sot Online )