Tifozët e Fenerbahçes të pakënaqur me Berishën

  • S.A /
  • 09 February 2022 - 12:11
Tifozët e Fenerbahçes të pakënaqur me Berishën

Eliminimi nga Kupa dhe ngelja në luftë për titull të kampionit ka shkaktuar pakënaqësi te tifozët e Fenerbahçes.

Rezultatet e dobëta të cilat po i regjistron Fenerbahçe kanë bërë që tifozët e gjigantit turk të “shpërthejnë” me akuza ndaj klubit të tyre. Prej presidentit të klubit, Ali Koç, e deri te trajnerët e futbollistët, janë bërë adresë e kritikave të tifozëve të zjarrtë të Fenerbahçes. Ndër më të kritikuarit ishte edhe futbollisti kosovar, Mërgim Berisha. Sulmuesi i kishte disa shanse të mira shënimi në ndeshjen me Kayserisporin, por nuk e ka shfrytëzuar asnjë për të shënuar gol.

Skuadra e madhe turke humbi nga Kayserispor me rezultat 1:0 në të tetën e finales së Kupës së Turqisë, nga e cila garë edhe u eliminua.

Pas ndeshjes mediat turke njoftojnë se tifozët kanë shprehur pakënaqësi në drejtim të Berishës.

Po ashtu tifozët e kanë kërkuar edhe dorëheqjen e presidentit Ali Koç, pasi klubi përpos eliminimit nga Kupa, ka mbetur prapa edhe në garën për titull të kampionit.

Fenerbahçe ka ngelur me 20 pikë prapa liderit të kampionatit, Trabzonsporit. Feneri është i gjashti në renditje. Kurse, Berisha nuk po e gjen formën më të mirë që e kishte në Salsburg, prej ku ishte transferuar te klubi turk si pasardhës i Vedat Muriqit, i cili shkëlqente te kjo skuadër para se të transferohej në Itali te Lazio.

Berisha i ka zhvilluar 23 ndeshje me Fenerbahçen dhe i ka shënuar vetëm gjashtë gola dhe i ka regjistruar tri asistime. 

(Kosova Sot Online )