Cristiano më i keq në 13 vjet

  • G.G /
  • 09 February 2022 - 14:37
Cristiano më i keq në 13 vjet

Kthimi i Cristiano Ronaldos në Old Trafford u prit me shumë bujë, si një ëndërr e bërë realitet, por është shndërruar më tepër si një makth.

Sulmuesi portugez u largua nga Juventusi verën e kaluar për të rikuperuar buzëqeshjen në vendin ku u shndërruar në lojtarin që është sot, në klubin që e bëri yll botëror, por gjërat nuk po shkojnë ashtu siç pritej.

Sot, pothuajse gjashtë muaj pas rikthimit të tij në Manchester United, sulmuesi 37-vjeçar është në ecurinë e tij më të keqe të golave ​​në klub në 13 vjet.

Ai nuk ka shënuar ende në vitin 2022, duke “agjëruar” në ndeshjet e Premierligës kundër Wolverhampton, Brentford, West Ham, Burnley dhe kundër Middlesbrough në FA Cup, ku humbi edhe një penallti.

Hera e fundit që ylli portugez shkoi pesë (ose më shumë) ndeshje radhazi pa festuar një gol, ishte pikërisht veshja e fanellës së ‘djajve të kuq’ në atë që do të ishte sezoni i tij i fundit përpara se të zbarkonte në Real Madrid, në 2008/09.

Në atë kohë ai shkoi 9 ndeshje të Premierligës pa shënuar mes 22 nëntorit dhe 17 janarit nën drejtimin e Sir Alex Ferguson.

Kujtojmë se në Real Madrid, në nëntë sezonet e tij me ekipin e Los Blancos, ai shkoi vetëm katër ndeshje radhazi pa shënuar në të gjitha garat.

Kjo i ka ndodhur tre herë, dhe të gjitha në të njëjtin sezon, 2010/11. Te Juventusi , vetëm në 2019/2020 pati një ngecje para portës, gjithashtu prej katër ndeshjesh.

Situata nuk është aspak e mirë për CR7 dhe United, që me barazimin mbrëmë, klubi mbeti jashtë zonës Champions, derisa ditë më parë u eliminua edhe nga FA Cup.

Në Champions, United do të përballet me Atletico Madridin së shpejti dhe vjen në një formë aspak të mirë, që mund t’ia trazojë edhe më shumë sezonin.

Cristiano besoi fuqishëm në fillim se projekti i United është i vecantë dhe se kanë një skuadër për të luftuar, por ka ndodhur krejt e kundërta dhe Manchesteri rrezikon të kalojë nëj tjetër sezon pa trofe, diçka që më së shumti është duke e irrituar CR7-tan sepse u kthye për të fituar tituj me djajtë e kuq.

Ronaldo numëron 14 gola në 25 paraqitje këtë edicion në të gjitha garat, 8 prej tyre i ka shënuar në Premierligë. 

(Kosova Sot Online)