Para dhe tokë në dy qytete, qeveria e Senegalit shpërblen heronjtë e Kupës së Afrikës

  • S.A /
  • 11 February 2022 - 10:00
Para dhe tokë në dy qytete, qeveria e Senegalit shpërblen heronjtë e Kupës së Afrikës

Sadio Mane, Malanga Sarr, Khalidou Koulibaly, etj., hynë në historinë e Senegalit pasi ia dolën të fitojnë për herë të parë Kupën e Kombeve të Afrikës dhe pas rikthimit në atdhe, iu rezervua një pritje heroike, me mijëra njerëz që mbushën rrugët e Dakarit për t’i duartrokitur.

Triumfi në këtë kompeticion u përjetua si një festë kombëtare në Senegal, teksa entuziazmi mbetet ende i lartë dhe për të shpërblyer heronjtë e suksesit, ka menduar edhe presidenti 60-vjeçar Macky Sall.

Në një konferencë për shtyp, ky i fundit tha se qeveria do të shpërblejë me nga 75 mijë euro për kokë të gjithë futbollistët e grumbulluar për Kupën e Kombeve të Afrikës dhe në të njëjtën kohë me nga 200 metra katrorë tokë në kryeqytetin e vendit, Dakar.

Por nuk mbaron me kaq, pasi Mane me shokë do të marrin edhe nga 400 metra tokë në Diamniadio.

“E gjithë kjo bëhet për t’i falënderuar ata për imazhin fantastik që i dhanë vendit dhe reklamën në mbarë botën. Përveç shpërblimit monetar tërësisht të merituar, ata tashmë do të kenë edhe tokë në kryeqytetin e tyre, por edhe në Diamniadio, në mënyrë që të ndërtojnë shtëpitë e tyre dhe të vijnë të kalojnë pushimet në atdhe”, deklaroi presidenti Sall
(Kosova Sot Online )