Antonio Conte dorëzohet para Arsenalit e Man Unitedit: I pamundur vendi i katërt për Tottenhamin

  • S.A /
  • 14 February 2022 - 09:46
Antonio Conte dorëzohet para Arsenalit e Man Unitedit: I pamundur vendi i katërt për Tottenhamin

Trajneri i Tottenhamit, Antonio Conte, e ka pranuar se është pothuajse e pamundur që skuadra e tij të kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pas humbjes 2:0 kundër Wolves të dielën. Disfata në shtëpi nga rivali për top katërshe në Premierligë ishte e treta radhazi për Tottenhamin. Një rënie kaq e madhe në formë, pas një ecurie prej nëntë ndeshjeve pa humbje nën udhëheqjen e tij në Tottenham Hotspur Stadium, ia ka prishur seriozisht momentumin Contes dhe tani italiani e pranon se skuadra e tij nuk do t’ia dalë pa mentalitetin për të arritur fitore edhe kur gjërat nuk shkojnë.

“Kur i humb dy ndeshje në shtëpi dhe ndeshjen paraprake kundër Chelseat, një ekip që dëshiron të luftojë për Ligën e Kampionëve, është e pamundur”, tha Conte. “Problemi është se nuk mund ta blesh mentalitetin fitues. Atë e përçon nga dita në ditë dhe nuk je i sigurt që ndodh kështu sepse ka lojtarë të cilët janë më të hapur dhe e kuptojnë shpejt procesin dhe ka lojtarë të tjerë që kanë nevojë për më shumë kohë për ta kuptuar këtë”, shtoi ai. Tottenhami është në vendin e tetë në tabelën e Premierligës me 36 pikë, pesë pikë mbrapa West Hamit që është i katërt dhe katër pikë mbrapa Manchester Unitedit. Skuadra e Contes i ka zhvilluar tri ndeshje më pak se vendi i katërt, megjithatë. Në luftë për top katërshe janë edhe Arsenali e Wolves, që i kanë nga 39 dhe 37 pikë, përkatësisht. 

(Kosova Sot Online )