Rafa Benitez e paralajmëron Liverpoolin për Interin

  • S.A /
  • 14 February 2022 - 10:03
Rafa Benitez e paralajmëron Liverpoolin për Interin

Ish-trajneri i Liverpoolit dhe Interit, Rafa Benitez, e ka parashikuar përballjen mes të kuqve dhe zikaltërve në Ligën e Kampionëve dhe ka shpjeguar pse skuadra e Jurgen Kloppit nuk duhet ta nënvlerësojë kampionin e Serie A. Interi dhe Liverpooli do të përballet të mërkurën në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve në Milano. Ndeshja e kthimit zhvillohet më 8 mars në Anfield.

Benitezi i kaloi gjashtë sezone në Liverpooli duke i fituar katër tituj me të kuqtë dhe gjatë një interviste për mediat italiane, trajneri spanjoll e përshkroi kohën e kaluar në Anfield si të jashtëzakonshme dhe të paharrueshme. Ai e kishte një përvojë shumë më ndryshe në Inter, ku ishte shkarkuar pas vetëm gjashtë muajve edhe pse i kishte fituar dy trofe, Superkupën Evropiane dhe Kupën e Botës për Klube.

I pyetur se cila prej dy ish skuadrave të tij është favorite për të kaluar në çerekfinale, Benitezi tha: “Për shkak të forcës së Premierligës, them Liverpooli 51% dhe Interi 49%”. “Është ndeshje më e baraspeshuar se sa shumë njerëz mendojnë. Interi nuk erdhi këtu rastësisht”, nënvizoi ai. “Loja e tij 3-5-2 mund të krijojë probleme ndaj ekipeve të cilat nuk janë mësuar të luajnë kundër këtij formacioni. Interi e di çfarë të bëjë dhe është shumë i mirë në shfrytëzimin e mungesave të kundërshtarit”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )