Lojërat Dimërore: Tahiri i mbyll garat për Kosovën në vendin e 37-të në sllallom

  • S.A /
  • 16 February 2022 - 09:10
Lojërat Dimërore: Tahiri i mbyll garat për Kosovën në vendin e 37-të në sllallom

Albin Tahiri e ka zënë vendin e 37-të në sllallom të mërkurën, të tetin nga fundi, në garën e fundit të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Pekin. Kosova u përfaqësua në Lojërat Dimërore në Kinë nga dy skitarë, Tahiri dhe Kiana Kryeziu, por dështoi ts fitojë medaljen e parë olimpike në pjesëmarrjen e saj të dytë në lojërat dimërore. Tahiri, i cili u bë atleti i parë që e përfaqëson Kosovën në lojërat dimërore para katër viteve në Korenë e Jugut, i mbylli sot garat për Kosovën në sllallom, një nga katër disiplinat ku ai garoi në Pekin në pjesëmarrjen e tij të dytë në lojëra.

Ai doli i 44-ti në lëshimin e parë dhe në të dytin bëri ngritje, por vetëm falë dështimit të shumë garuesve për ta përfunduar garën.

Vetëm 45 nga 88 garues ia dolën të mbarojnë garën në të dy lëshimet në sllallom sot.

28-vjeçari regjistroi kohë prej 2 minuta e 02.94 sekonda nga dy lëshimet e tij në sllallom, e cila ia siguroi vetëm vendin e 37-të, që është i teti nga fundi.

Kjo ishte renditja e tij më e dobët në këto lojëra, pasi Tahiri në lëshim ishte i 35-ti, në kombinim alpin i 15-ti dhe në sllallom të madh i 30-ti.

Ndërkohë, Kryeziu, e cila u bë gruaja e parë që e përfaqëson Kosovën në Lojëra Dimërore, garoi në sllallom të madh dhe e zuri vendin e 49-të.

(Kosova Sot Online )