“Ata nuk pinë alkool kurrë” – Klopp tregon pse Salah e Mane janë kaq të fortë fizikisht

  • S.A /
  • 16 February 2022 - 10:56
“Ata nuk pinë alkool kurrë” – Klopp tregon pse Salah e Mane janë kaq të fortë fizikisht

Jurgen Klopp e ka lartësuar si forcë të natyrës dyshen e Liverpoolit Mohamed Salah dhe Sadio Mane, pas paraqitjeve të tyre heroike në Kupën e Kombeve të Afrikës dhe ka shpjeguar se ata vijojnë ta ruajnë forcën dhe shëndetin fizik për shkak së nuk pinë alkool. Ata u rikthyen në formacionin titullar të të kuqve në fitoren kundër Burnley të dielën, pavarësisht se sapo ishin kthyer nga gara e mundimshme në Kamerun, ku të dy i kishin zhvilluar nga shtatë ndeshje dërrmuese, para se Senegali i Manes ta mposhte Egjiptin e Salahut në penallti. Të dy pritet të luajnë për Liverpoolin edhe kundër Interit sot në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve dhe Klopp thotë se ndër faktorët kyç që ua ka mundësuar atyre të jenë të freskët dhe të gatshëm kaq shpejt është fakti se asnjëri prej tyre nuk pi alkool.

Duke folur në një konferencë për media para ndeshjes të mërkurën, Klopp tha: “Një javë nuk është problem tani. Të dy djemtë nuk pinë alkool, pra ky problemi i madh që e ke nëse feston një triumf të madh, i cili ta vret ose ta zgjatë kohën e riaftësimit, për ta nuk ekziston”.

“Ata nuk pinë, prandaj janë në gjendje të mirë fizike një ditë pas ndeshjes. Të dy janë forcë e natyrës dhe shpresoj se do të jetë të gjithë përgjithmonë!” shtoi ai.

Salah dhe Mane, si dhe bashkëlojtari i tyre Naby Keita, janë myslimanë, që nënkupton se ata nuk e përdorin alkoolin kurrë për shkak të besimit të tyre. 

(Kosova Sot Online )