Ish-trajneri i PSG-së pritet ta marrë drejtimin e Kosovës, zyrtarizimi mund të ndodhë sot

  • 22 February 2022 - 08:55
Ish-trajneri i PSG-së pritet ta marrë drejtimin e Kosovës, zyrtarizimi mund të ndodhë sot

Kombëtarja e Kosovës në futboll sot mund të bëhet me trajner të ri. Dhe, me sa duket nuk do të jetë asnjë nga emrat e përmendur përgjatë muajve dhe javëve të fundit. Mbrëmë nëpër media filloi të qarkullonte emri i trajnerit francez, Alain Giresse. Francezi Giresse (69 vjeçar) thuhet se është në pozitën më të mirë për ta marrë drejtimin e Kosovës. Në një bisedë për ATV, Agim Ademi ka thënë se gjatë ditës së sotme pritet që të vendoset për të, ku do të dihet a do ta marrë ai drejtimin e “Dardanëve” apo jo.

Giresse ka një karrierë të gjatë futbollistike ku ka luajtur për Bordeaux nga viti 1970 deri më 1986. Vitet e tij të fundit si futbollist në pozitën e mesfushorit ai i kalojë të Marseille  ku luajti nga viti 1986 – 1988. Ai ka pasur edhe 47 paraqitje për Francën në karrierën e tij. Si trajner ai për disa vite ka menaxhuar skuadra si: Toulouse (1996-98 dhe 1999/2000), Paris Saint-Germain (1998) dhe FAR Rabat (2001/2003). Nga viti 2004 ka filluar të jetë trajner i kombëtarëve ku ka drejtuar Gjeorgjinë (2004/2005), Gabonin (2006/2010), Malin (2010/2012 dhe 2015/2017), Senegalin (2013/2015) dhe Kombëtarja e fundit që Giresse ka menaxhuar është ajo e Tunizisë për sezonin 2018/19. Që tri vite ai ka pauzuar nga puna e trajnerit.

(Kosova Sot Online )