
Krejt sytë kah Mitrovica, Kosova kërkon fitore sonte ndaj Norvegjisë

Kombëtarja e Kosovës në basketboll do të zbresë sonte në parket për ta zhvilluar ndeshjen e radhës në rrethin e parë parakualifikues të Eurobasket 2025.
“Dardanët” do t’i bëjnë gosti Norvegjisë, në ndeshjen që do të fillojë në orën 19:00, e vlefshme për Grupin C.
Krahas Kosovës dhe Norvegjisë, në grup bën pjesë edhe Danimarka, shkruan “Gazeta Express”.
Momentalisht të tria kombëtaret i kanë nga një fitore dhe nga një humbje.
Verdhekaltit e kishin mposhtur Danimarkën me rezultat 78:73, ndërsa paraprakisht kishin humbur nga Norvegjia, 77:86.
Vendi i parë kalon tutje, por edhe pozita e dytë më e mirë nga tri grupet që janë formuar.
Basketbollistët e Kosovës iu kanë bërë thirrje tifozëve që t’i përkrahin në sfidën e rëndësishme që do ta zhvillojnë sonte.
Ata janë mjaft të motivuar dhe optimistë se do t’ju hakmerren norvegjezëve për humbjen e shkaktuar vitin e kaluar.
Kosova synon të kalojë në fazën kualifikuese të këtij evenimenti.
(Kosova Sot Online)