Kërkohet pezullimi i Rusisë e Bjellorusisë nga IOC: “Sportistët ukrainas në rrezik jete, të ngujuar në Bodrume”

  • S.A /
  • 28 February 2022 - 13:18
Kërkohet pezullimi i Rusisë e Bjellorusisë nga IOC: “Sportistët ukrainas në rrezik jete, të ngujuar në Bodrume”

Atletët ukrainas dhe nga vende të tjera që kanë dalë në përkrahje të Ukrainës e cila po pushtohet qe pesë ditë nga agresioni rus i kanë bërë thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) t’i pezullojë Rusinë dhe aleaten e saj, Bjellorusinë, duke ua ndaluar pjesëmarrjen në çdo aktivitet sportiv ndërkombëtar. Qeveria e Ukrainës tha të dielën se 352 civilë, përfshirë 14 fëmijë, janë vrarë deri më tani në Ukrainë nga pushtim rus, derisa Bjellorusia është vënë në dispozicion të plotë të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

“Pushtimi rus i Ukrainës, i mbështetur nga Bjellorusia, është një shkelje e qartë e Kartës Olimpike dhe Paraolimpike, është një shkelje që duhet të përballet me sanksione të forta,” thuhet në letrën e hapur të atletëve dërguar presidentit të IOC-së, Thomas Bach, dhe shefit të Komitetit Paraolimpik ndërkombëtar, Andrew Parsons. Letra e lëshuar nga lëvizja atletike ndërkombëtare, e cila si mision ka fuqizimin dhe mbrojtjen e atletëve nga mbarë bota. Në letër thuhet se kjo organizatë po e ka problem të kontaktojë me sportistët ukrainas, që kryesisht po qëndrojnë në bodrume për t’iu shpëtuar bombave dhe thekson se ata me familjet e tyre janë në rrezik për jetën në çdo moment. Në këtë letër thuhet se pezullimi i Rusisë dhe Bjellorusisë nga lëvizja olimpike duhet të ndodh sa më shpejt që është e mundur dhe kjo do të çonte mesazh solidarizimi me sportistët ukrainas. “Mungesa e juaj e veprimit do t’i dërgojë një mesazh çdo atleti në botë se ju keni zgjedhur interesat e Rusisë dhe Bjellorusisë mbi interesat e atletëve” thuhet në letër. IOC ka thënë se federatat ndërkombëtare të sportit duhet t’i anulojnë ngjarjet sportive të planifikuara për t’u zhvilluar në Rusi dhe Bjellorusi, ndërsa Bordi Ekzekutiv i IOC-së ka theksuar se flamujt kombëtarë të Rusisë dhe Bjellorusisë nuk duhet të shfaqen në ngjarjet sportive ndërkombëtare, por nuk kanë vendosur për pezullimin e dy shteteve aleate në agresionin ndaj Ukrainës. 

(Kosova Sot Online )