Ndeshja e futbollit në Ligën e Parë u tha se u shtye shkaku i xhumasë, reagon FFK

  • A.P /
  • 04 March 2022 - 16:19
Ndeshja e futbollit në Ligën e Parë u tha se u shtye shkaku i xhumasë, reagon FFK

Federata e Futbollit e Kosovës ka dhënë një sqarim rreth vonesës së fillimit të ndeshjes në Ligën e Parë, mes Arbërisë dhe Vushtrrisë.

Sot nga disa faqe në rrjetet sociale u raportua se kjo ndeshje ka nisur me vonesë. Si arsye u tha se futbollistët dhe trajneri i skuadrës së Arbërisë kanë shkuar në xhami, për të falur namazin e xhumasë.

Mirëpo, sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, këto raportime janë të pavërteta.

FFK ka pranuar se ndeshja ka filluar me vonesë, por sipas tyre arsyeja e vonesës ishte mungesa e zyrtarëve policor.

“Plasimi i të pavërtetave në disa portale tashmë është bërë po thuajse një gjë e zakonshme, veçmas kur është në pyetje Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbolli kosovar në përgjithësi. Sot në disa portale të njohura për postime të artikujve sa për të nxitur klikime është postuar lajmi se ndeshja e Ligës së Parë ndërmjet Arbërisë dhe Vushtrrisë është shtyrë për shkak se futbollistët e Arbërisë dhe trajneri i tyre kanë qenë në  xhami. Ky është një tjetër mashtrim që i është bërë opinionit, ngase ndeshja në fjalë ka filluar me vonesë për shkak të mungesës së zyrtarëve policor, e jo siç raportuan me nxitim disa portale e pa marrë fare mundin për të marrë informatën zyrtare për vonesën e takimit. Futbollistët e Arbërisë ashtu sikurse ata të Vushtrrisë kanë qenë me kohë në fushën e gjelbër të stadiumit “Sami Kelmendi” në Lipjan dhe me të arritur patrulla e policisë së Kosovës, ashtu siç parashihet në rregulloret e garave, ka nisur ndeshja”, thuhet në sqarimin e shtëpisë së futbollit kosovar.

FFK ka publikuar edhe një foto të realizuar nga delegati i ndeshjes që dëshmon praninë me kohë të futbollistëve të Arbërisë në fushën e lojës.

(Kosova Sot Online)