Futbolli i Kosovës nga momentet e krenarisë në ditë të turpit

  • A.P /
  • 07 March 2022 - 15:26
Futbolli i Kosovës nga momentet e krenarisë në ditë të turpit

Procesi i zgjedhjeve në Federatën e Futbollit të Kosovës tashmë kanë marrë dimension tjetër –  Po dalin skandale shokuese dhe federata po shkon drejt gjyqit

Që nga vitit 2016, kur Kosova ishte anëtarësuar në UEFA e FIFA, futbolli ishte bërë krenari e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës.

Tifozët kosovarë pa pikë përtese i bënin nga 500 kilometra rrugë, Prishtinë – Shkodër dhe Shkodër – Prishtinë, duke blerë edhe bileta të shtrenjta, për ta parë skuadrën e tyre përfaqësuese teksa ajo veç sa kishte filluar të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare, shkruan Gazeta Express.

Ndërkohë, duke e parë gjithë atë entuziazëm të kosovarëve, institucionet përkatëse e rinovuan stadiumin e Prishtinës, duke i dhënë pamje të arenave ndërkombëtare.

Ky tempull i futbollit e kishte marrë edhe emrin e legjendës, Fadil Vokrri, me të cilin gjithçka kishte nisur mbarë dhe bukur.

Njerëzit prisnin në radhë të gjata dhe në tollovi për ta siguruar një biletë për t’u kënaqur me një lojë futbolli. Por, kërkesa ishte jashtëzakonisht e madhe në krahasim me kapacitetin e stadiumit.

E krejt kjo sikur kishte ndikuar në rritjen e moralit në skuadrën përfaqësuese, e cila madje po kalonte nëpër një seri impresionuese të rezultateve.

Për më tepër, Kosova kishte filluar të fitojë edhe simpati ndërkombëtare, e po ashtu edhe respekt nga kundërshtarët e mëdhenj.

Ky ritëm vazhdoi edhe pasi vdekjes së legjendës Fadil Vokrri. Vdekja e tij në qershor të vitit 2018, e kishte shokuar gjithë Kosovën, kurse komuniteti i futbollit ishte bashkuar mbase si kurrë më parë për dy qëllime – për ta kaluar sa më lehtë dhimbjen dhe për ta vazhduar të mirën.

Vetëm pas një kohe të shkurtër, me unitet të plotë, pa asnjë kundërshtim, Agim Ademi ishte zgjedhur pasardhës i Vokrrit, pasi komuniteti i futbollit e shihte atë si bashkëpunëtor të ngushtë të legjendës, dhe tek ai e shihte vazhdimësinë.

Por, me kalimin e kohës komunitetit të futbollit nisi t’i humbiste shkëlqimi.

Ademi u prish me shumë figura të njohura, si me djalin e ish presidentit Fadil Vokrri, Gramoz Vokrri, pastaj me ish zëvendëssekretarin Arianit Ahmeti, ndërkohë raportet e tij u çanë edhe me Remzi Ejupin.

Çarjet nuk u ndalën dot as brenda FFK-së e as rreth saj. Ndërkohë, ndodhi përplasja e madhe në mes Ademit dhe Eroll Salihut, i cili me vite të tëra ishte sekretar gjeneral i FFK-së, të cilën pozitë nuk e mban më qysh prej prishjes së raporteve me Agim Ademin.

Sikur nuk mjaftuan gjitha këto përçarje. Kur futbolli i Kosovës hyri në vit zgjedhor, Ademi u nda keq edhe me Afërdita Fazlijajn, tashmë ish selektore e ekipit kombëtar të femrave, përkatësisht një aktiviste e vjetër e futbollit dhe sportit kosovar.

Gazeta Express shkruan se gjithë këta emra tani janë shndërruar në kundërshtarë të Agim Ademit, prej të cilëve është dëgjuar gjithçka që ka të bëjë me keqmenaxhim të FFK-së nga kryesia aktuale e FFK-së, e prirë nga Ademi.

Secili prej tyre shihen si kandidatë potencial për ta sfiduar Agim Ademin për postin e kryetarit.

Të gjithë ata sot i bashkon mendimi për ndryshim në futboll dhe largimi i domosdoshëm i Ademit nga posti i kryetarit përmes zgjedhjeve të ardhshme.

Ata ditëve të fundit kanë shpërthyer me akuza të rënda ndaj Ademit. Madje, ish sekretari gjeneral, ka zbuluar se presidenti i UEFA-s, Ceferin, qysh më moti e kishte kërkuar dorëheqjen e Ademit dhe se UEFA e kishte suspenduar Ademin për dy vjet e gjysmë shkaku i një procesi gjyqësor nëpër të cilin po kalonte ai.

Por, tani kundërshtarët e tij po thonë se Ademi po hetohet për disa raste të ndryshme nga prokuroia, madje edhe nën dyshime për kurdisje.

Ish bashkëpunëtori i ngushtë i Vokrrit dhe Ademit, Eroll Salihu, tani po thotë se qe tri vjet Federata e Futbollit e Kosovës ka pësuar degradim tragjik. Dhe fajtor thotë se është veç një njeri – Emri i tij është Agim Ademi, të cilin kundërshtarët po e akuzuar për shpërdorim të shpeshtë të detyrës zyrtare, manipulime e shantazhe.

E karshi gjithë këtyre sulmeve Agim Ademi po shihet në defanzivë. Vëmendja e tij duket të jetë e përqendruar te Kuvendi që me Komitetin Ekzekutiv e ka thirr për datën 6 prill.

Thirrja e këtij Kuvendi ka bërë që situata në futbollin kosovar të eskaloj. Ademi insiston se kuvendi është thirr duke e respektuar çdo rregull, kurse opozita e tij insiston se Kuvendi është i jashtëligjshëm me shkelje statusore e ligjore, dhe si i tillë nuk guxon të mbahet sipas planeve të Ademit, për të cilin thonë se po mundohet ta “grabitë” një tjetër mandat katërvjeçar.

Në anën tjetër, klubi i futbollit Vitia tashmë e ka paditur FFK-në në gjykatë për kuvendin e thirru.

Në këtë mënyrë, futbolli kosovar ka hyrë në një “qorrsokak”, ndonëse deri para një viti ishte në prag të kualifikimit në Kampionatin Evropian. 


(Kosova Sot Online)