Spektakël në Bernabeu, Benzema e kualifikon Realin dhe eliminon PSG-në

  • A.P /
  • 09 March 2022 - 23:03
Spektakël në Bernabeu, Benzema e kualifikon Realin dhe eliminon PSG-në

Ndeshje spektakolare u zhvillua sonte në “Santiago Bernabeu”. Real Madridi zhvilloi një pjesë të dytë fantastike për t’u kualifikuar në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.

Pasi humbën 1:0 në pjesën e parë, Real Madridi fitoi 3:1 për të kaluar tutje, falë hat-trikut të Benzemas

Pjesa e parë ishte e gjitha e Paris Saint-Germainit. Mysafirët kaluan në epërsi përmes Mbappes në minutën e 39-të të ndeshjes dhe për shumëkë ndeshja u konsiderua e mbyllur.

Dy gola diferencë ishte lehtë e menaxhueshme në mendjen e parisienëve, por ashtu nuk rezultoi në pjesën e dytë.

Ishte Karim Benzema që bëri tre gola për një përmbysje senzacionale të “Los Blancos”

Por, pika e kthesës ishte gabimi amatoresk që e bëri Donnarumma në minutën e 61-të. Portieri italian nuk arriti ta largonte siç duhet topin dhe Viniciu përfitoi për të asistuar për Benzeman i cili shënoi për 1:1.

Në minutën e 76-të, Luca Modric tregoi se është mbreti i mesfushës ende duke asistuar për Benzeman i cili realizoi për 2:1.

Menjëherë në aksionin tjetër, Benzema realizoi për 3:1 dhe me rezultat të përgjithshëm 3:2, Real Madridi avancon në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.

Ndërkohë, Messi, Mbappe e Neymar mbeten jashtë garës më prestigjioze evropiane.

(Kosova Sot Online)