David Alaba festoi me karrige, arsyeja është epike

  • 10 March 2022 - 09:05
David Alaba festoi me karrige, arsyeja është epike

Real Madridi e bëri mbrëmë një përmbysje të madhe duke shkuar në çerekfinale falë fitores 3:1 ndaj Paris Saint-Germainit.Madrilenët festuan tri herë falë golave të Karim Benzemas. E festë pati edhe në fund të lojës kur “Los Blancos” e prenë biletën për në çerekfinale. Por, ajo që ra në sy ishte festimi aspak i zakonshëm i David Alabas. Mbrojtësi austriak shihet në një video duke festuar prapa Benzemas, përballë tifozëve, teksa në dorë e mban një… karrige të bardhë.

Ndaj këtij veprimi ka qeshur mbrojtësi gjerman, Jerome Boateng, i cili kishte luajtur disa vite së bashku me Alaban në Bayern Munich.

“Çfarë po bën, vëlla”, ka shkruar përfaqësuesi gjerman me figura duke buzëqeshur teksa e postoi videon e Alabas, e cila tashmë është bërë virale. Pas lojës, përfaqësuesi austriak përmes një postimi në rrjetet sociale ka shpjeguar se përse festoi në mënyrë të tillë.

Sipas tij, ky veprim kishte domethënie të madhe.

“Mos u ul në karrigen tonë”, ka shkruar Alaba, duke iu referuar kundërshtarit, Paris Saint-Germain, të cilin e eliminoi Reali dhe që nuk e lejoi t’ia merrte fronin në “Santiago Bernabeu.

(Kosova Sot Online )