Arteta synon të përforcohet me 6 futbollistë, Broja në listë

  • S.A /
  • 12 March 2022 - 10:43
Arteta synon të përforcohet me 6 futbollistë, Broja në listë

Arsenali është gati të shpenzojë shumë në afatin kalimtar të verës, pavarësisht nëse kualifikohet në Ligën e Kampionëve apo jo, me gjashtë lojtarë që thuhet në listën e dëshirave të Mikel Artetas. Sipas raportimeve, klubi londinez është gati të shpenzojë në verë dhe të nënshkruajë me gjashtë lojtarë të rinj.

“Topçinjtë” shpenzuan mbi 150 milionë funte në afatin kalimtar të verës së kaluar, por ndryshimet e mëdha nuk kanë përfunduar ende nën drejtimin e Artetas.

Takehiro Tomiyasu, Aaron Ramsdale, Ben White, Nuno Tavares, Albert Sambi Lokonga dhe Martin Odegaard, ishin transferimet e Arsenalit në verën e fundit.

Përforcimi i skuadrës me këta futbollistë po del të jetë i duhur, pasi skuadra nga Lodra është e katërta në tabelë dhe me gjasa të mira për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve.

“Evening Standard” raporton se forma e fundit pozitive ka nxitur plane serioze për verën. Arteta dhe drejtori sportiv, Edu, thuhet se janë të interesuar për të nënshkruar me gjashtë futbollistë – dy sulmues, një mesfushor, një anësor, një qendërmbrojtës të krahut të majtë dhe një mbrojtës të djathtë.

Largimi i Pierre-Emerick Aubameyang ka lënë Alexandre Lacazette dhe Eddie Nketiah si sulmuesit e vetëm te “Topçinjtë”. Por, edhe e ardhmja e tyre në “Emirates” nuk është e sigurt, pasi kontratat e tyre skadojnë më 30 qershor të këtij viti.

Kjo situatë nuk është asgjë e re dhe prandaj Arsenali po mendon të sjellë dy sulmues të rinj në verë. Alexander Isak i Real Sociedadit, Dominic Calvert-Lewin i Evertonit , Jonathan David i Lille dhe Darwin Nunez i Benficas janë të gjithë në radarin e londinezëve, derisa edhe sulmuesi i Chelsea , Armando Broja, gjithashtu ka tërhequr vëmendjen e krerëve të klubit.

Qendra e mesfushës është një tjetër zonë me interes për Arsenalin. Douglas Luiz, Ruben Neves dhe Youri Tielemans thuhet se janë objektivat, ndërsa Danilo dhe Carney Chukwuemeka janë në monitorim gjithashtu.

Ndërkohë, qendërmbrojtësi William Saliba, i cili është i huazuar te Marseille, mund të rikthehet dhe të jetë nën urdhërat e Mikel Artetas. Francezi mund të llogaritet si një transferim, pasi ai ende nuk ka debutuar zyrtarisht me Arsenalin.

Përforcimi me një mbrojtës të krahut të djathtë ka një prioritet më të ulët, me Tomiyasun dhe Soares që duken të duhur për atë pozitë. Megjithatë, Djed Spence i Middlesbrough është në radarin e klubit.

Një anësor mund të nevojitet gjithashtu, nëse do të ndodhë largimi i Nicolas Pepes.

Sigurisht se përveç transferimeve, Arsenali do të duhet t’i shesë edhe disa futbollistë, si: Dinos Mavropanos, Matteo Guendouzi e Lucas Torreira. Ainsley Maitland-Niles dhe Pablo Mari mund të shiten gjithashtu për të siguruar fonde për transferime.

Nëse Arsenali kualifikohet për në Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga sezoni 2016/17, atëherë kjo do të lejonte shpenzime më të mëdha në afatin kalimtar të verës.

(Kosova Sot Online )