Muriqi – Benzema, përballja e dy gjigantëve të sulmit

  • A.P /
  • 13 March 2022 - 16:13
Muriqi – Benzema, përballja e dy gjigantëve të sulmit

Mallorca – Real Madrid është sfida që mbyll javën e 28-të në La Liga.

Dy ekipet që po luftojnë për objektiva krejt të kundërta do të vihen përballë njëra-tjetërs., shkruan Gazeta Express.

Real Madrid momentalisht gjendet në vendin e parë me 63 pikë, tetë më shumë se Sevilla, kurse Mallorca është e pozicionuar në vendin e 16-të me 26 pikë, dy larg zonës që dërgonë në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

Kjo do të jetë edhe një përballje mes dy gjigantëve të sulmit, Karim Benzemas dhe Vedat Muriqit, që do t’u prijnë sulmeve të skuadrave përkatëse.

Sulmuesi francez është në superformë këtë edicion, duke realizuar 30 gola dhe 12 asiste në 33 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat. 20 gola dhe 10 asiste të tij kanë ardhur nga La Liga, ku i bëri 24 paraqitje.

Së fundmi, Benzema inspiroi rikthimin e madh në Champions League ndaj Paris Saint-Germainit, duke shënuar tre gola dhe duke kualifikuar “Los Blancos” në çerekfinale.

Në anën tjetër, Vedat Muriqi është shndërruar menjëherë në pikë referuese në sulmin e Mallorcas.

Në gjashtë ndeshjet e zhvilluara në la Liga, Vedat Muriqi shënoi dy gola dhe bëri një asist, por kontributi i tij në fushë mbetet i pashoq, duke dhënë në çdo ndeshje gjithçka nga vetja.

Sulmuesi shtatlartë i Kosovës shpejt është shndërruar në idhullin e tifozëve të Mallorcas dhe ai po ua kthen besimin.

Nesër, duke filluar nga ora 21:00, Mallorca do të jetë nikoqir i liderit aktual, Real Madridit.

(Kosova Sot Online)