Lëndimi i Benzemas, Ancelotti flet për gjendjen e sulmuesit francez

  • S.A /
  • 15 March 2022 - 09:47
Lëndimi i Benzemas, Ancelotti flet për gjendjen e sulmuesit francez

Karim Benzema u lëndua mbrëmë në duel me Mallorcën, ku ishte protagonist me dy gola dhe një asistim. Mirëpo, pasi e shënoi golin e tretë ndaj ekipit të Vedat Muriqit, sulmuesi francez ndjeu dhimbje në kyçin e këmbës së majtë. Ky fakt i alarmoi madrilenët, të cilët frikësohen se mund ta humbasin ish-futbollistin e Lyonit për duelin e fundjavës ndaj Barcelonës në “El Clasico”. E për këtë punë ka folur trajneri Carlo Ancelotti, i cili shpreson që veterani i sulmit të rikthehet sa më shpejt dhe të mos mungojë në një ndeshje aq të rëndësishme si ajo e fundjavës që vjen.

“Ne duhet t’i presim ekzaminimet gjatë javës. Të shpresojmë të mos jetë diçka serioze”, ka thënë trajneri italian, teksa e konfirmoi edhe lëndimin e Rodrygos. Benzema është duke e shfaqur një formë jetike dhe po e udhëheq me sukses ekipin madrilen drejt titullit të kampionit në La Liga, ku është +10 pikë ndaj Sevillës, ndërsa e ndihmoi skuadrën edhe për ta siguruar çerekfinalen e Ligës së Kampionëve me tre golat që i shënoi ndaj Paris Saint-Germainit. Sot për sot, sulmi i Realit nuk mund të paramendohet pa Benzeman. Edhe vetë lojtari shpreson të shërohet në ditët në vazhdim, në mënyrë që të jetë në dispozicion të trajnerit për “El Clasico”. 

(Kosova Sot Online )