Çerekfinalja e Kupës së Kosovës vjen sot me dy super-ndeshje

  • S.A /
  • 16 March 2022 - 10:52
Çerekfinalja e Kupës së Kosovës vjen sot me dy super-ndeshje

Këtë mesjavë do të zhvillohen ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Ballkani – Prishtina dhe Llapi – Gjilani, do të jenë ndeshjet më interesante dhe kryesore të kësaj faze. Drita do të ketë punë me Ulpianën, teksa përballja e fundit do të jetë në mes të Ramiz Sadikut me KEK-un. Mesjava do t’i sjellë ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Në këtë rreth garash do t’i kemi dy super-përballje.

Ballkani – Prishtina do të jetë ndeshja kryesore dhe pritet të jetë mjaft interesante. Në kampionat, të dyja skuadrat janë me formë dhe synime krejt të kundërta. Suharekasit po luftojnë për titullin kampion, teksa kryeqytetasit për një pozitë sa më të mirë në tabelë. Llapi – Gjilani është një tjetër ndeshje e madhe në këtë fazë. Pas takimit të fundjavës që e lamë pas në kampionat, që u mbyll 1:1, të dy ekipet e kërkojnë kalimin tutje dhe fitimin e këtij trofeu. Nga pretendentët për këtë trofe, Drita do të ketë punë më të lehtë, do të përballet me Ulpianën. Gjilanasit tash e katër xhiro nuk dinë për fitore në kampionat, kurse Ulpiana po lufton për ekzistencë. Takimi i fundit çerekfinal do të jetë ai në mes Ramiz Sadikut e KEK-ut, i vetmi që do të luhet nesër. Siç dihet, fituesi i Kupës e siguron edhe pjesëmarrjen në garat evropiane, prandaj edhe ky trofe është bërë edhe më i rëndësishëm dhe më i lakmueshëm viteve të fundit. Të gjitha ndeshjet do të fillojnë në orën 13:00. 

(Kosova Sot Online )