Ekipeve ruse të eSports u ndalohet pjesëmarrja në garat profesionale të lojërave Apex Legends, FIFA dhe Rainbow Six Siege

  • S.A /
  • 17 March 2022 - 11:27
Ekipeve ruse të eSports u ndalohet pjesëmarrja në garat profesionale të lojërave Apex Legends, FIFA dhe Rainbow Six Siege

Kompanitë e video-lojërave Electronic Arts dhe UbiSoft kanë ndaluar ekipet ruse në garat e tyre profesionale, për shkak të pushtimit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë. Electronic Arts përmes një postimi në Twitter ka njoftuar se lojtarët dhe ekipet e eSports me bazë në Rusi dhe Bjellorusi nuk do të lejohen të marrin pjesë në organizimet profesionale në video-lojërat Apex Legends dhe FIFA 22, vendimi siç duket është i vlefshëm edhe për organizimet të cilat janë duke u mbajtur për momentin. “Ne vazhdojmë të jemi të tronditur nga konflikti që po shpaloset në Ukrainë dhe bashkohemi me kaq shumë zëra në mbarë botën duke bërë thirrje për paqe dhe fundin e pushtimit. “Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin e Ukrainës” shkroi EA në Twitter.

“Ne kemi marrë vendimin për të hequr Rusinë dhe Bjellorusinë si vende të pranueshme në programet tona eSports. Në mënyrë efektive menjëherë, lojtarët dhe skuadrat në Rusi dhe Bjellorusi nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në Seritë Globale Apex Legends dhe Seritë Globale të EA Sports FIFA 22”.

Një vendim të ngjashëm e ka njoftuar edhe kompania e video-lojërave Ubisoft, ku ka ndaluar të gjitha organizimet për ekipet dhe lojtarët rus, duke e ndaluar “Russian Major League” në video-lojën RainbowSix siege. Siç duket Ubisoft ka lejuar që ekipet dhe lojtarët rus të garojnë me emër neutral, duke mos e përfaqësuar Rusinë. “Në dritën e tragjedisë së vazhdueshme në Ukrainë, të gjitha garat zyrtare në portofolin tonë të lojërave në Rusi, si Liga e Madhe Ruse në Rainbow Six Siege janë pezulluar”. Lojtarët rusë do të jenë ende në gjendje të konkurrojnë në garat rajonale dhe ndërkombëtare nëse dëshirojnë, por do t’u kërkohet të konkurrojnë nën një flamur neutral dhe kanë pranuar ta bëjnë këtë”.

(Kosova Sot Online )