Trajneri i Zvicrës: Interesant të luajmë ndaj Kosovës me lojtarë kosovarë

  • S.A /
  • 18 March 2022 - 14:00
Trajneri i Zvicrës: Interesant të luajmë ndaj Kosovës me lojtarë kosovarë

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin ka folur sot për ndeshjen miqësore që do ta zhvillojnë “Helvetikët” ndaj Kosovës më 29 mars, teksa e publikoi sot listën e miqësoreve të këtij muaji.

Trajneri zviceran i përfshiu tre shqiptarë në listë, Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën e Andi Zeqirin.

Ai e sheh këtë ndeshje si mjaft speciale, duke e pasur parasysh lidhjen në mes të dy vendeve, në aspektin sportiv.

“Do të luajmë me gjasë në dy stadiume të mbushura kundër kundërshtarëve atraktivë”, tha fillimisht për uebfaqen zyrtare të Federatës Zvicerane të Futbollit, Yakin për dy miqësoret e marsit, ndaj Anglisë dhe ndaj Kosovës.

“Shumë persona të përfshirë në këtë lojë kanë raporte speciale me vendin tjetër. Kemi lojtarë me origjinë nga Kosova. E Kosova ka lojtarë që janë rritur dhe formuar në Zvicër. Përpos domethënies sportive, ndeshja me Kosovën duhet të jetë një takim i miqësisë, si në fushë ashtu edhe në tribuna”, vazhdoi ai.

Yakin, miqësoret e marsit i sheh një mundësi ideale për zhvillimin e ekipit dhe për përgatitje për ndeshjet zyrtare kualifikuese, shkruan “Gazeta Express”.

“Duam të përfitojmë çdo ditë, në çdo stërvitje dhe edhe në dy ndeshjet miqësore, për t’u munduar të vazhdojmë të rritemi së bashku. Duam të shkojmë në Botëror në nëntor me një grup të bashkuar dhe me shumë besim në veten”, përfundoi Yakin.

Kosova do t’i zhvillojë dy miqësore në muajin mars, ndaj Burkina Fasos më 24 mars dhe ndaj Zvicrës më 29 të këtij muaji.

Edhe selektori i ri, Alain Giresse pritet ta zbulojë sot listën e të ftuarve të Kosovës.

(Kosova Sot Online )