Mbappe e ka një kërkesë për shokët e skuadrës

  • S.A /
  • 21 March 2022 - 10:56
Mbappe e ka një kërkesë për shokët e skuadrës

Kylian Mbappe ka kërkuar nga shokët e skuadrës që të shfaqin më shumë respekt për njëri-tjetrin dhe më shumë profesionalizëm. Ylli francez i bëri këto komente pas fitores së rëndë nga Monaco me rezultat, 0:3.

Lideri i Ligue 1 u mposht nga rivali i përjetshëm, ndërsa e mori një tjetër goditje pas eliminimit nga Liga e Kampionëvve mesjavën e kaluar. “Ne humbëm nga një ekip i madh, i cili po luan që ta kap një vend që çon në Evropë. Ata ishin të vendosur dhe e kishin bërë planin e tyre për të fituar”, deklaroi Mbappe pas ndeshjes së zhvilluar në “Amazon Prime Video”.

“Shpresoj që ata të shkojnë në Evropë. Ata e merituan fitoren. Synim yni është që të shkojmë drejt titullit të 10-të të kampionit, gjërat tjera nuk kanë rëndësi”, deklaroi ish-futbollisti i Monacos.

“Edhe nëse fitojmë 8:0 ose 9:0, njerëzit përsëri do të mendojnë për ligën e Kampionëve. Ne duhet të qëndrojmë profesionalë dhe ta respektojmë njëri-tjetrin. Ne duhet t’i respektojmë tifozët që na mbështesin, njerëzit dhe familjet tona. Duhet ta respektojmë njëri-tjetrin nëse duam të marrim respekt për atë që e bëjmë”, përfundoi Mbappe, i cili në fund të sezonit mund të largohet nga PSG-ja për t’iu bashkuar më pas Real Madridit.

E shoku i tij i skuadrës, braziliani Marquinhos, humbjen nga Monaco e ka konsideruar si një katastrofë dhe si lojën më të dobët të vitit për PSG-në. 

(Kosova Sot Online )