“Ipswichi duhet ta bëjë të pamundurën për ta mbajtur Celinën”

  • S.A /
  • 21 March 2022 - 14:10
“Ipswichi duhet ta bëjë të pamundurën për ta mbajtur Celinën”

Ipswich Town e kishte marrë Bersant Celinën verë e kaluar në formë huazimi për një vit. Por, tash klubi anglez duhet ta bëjë të pamundurën për ta mbajtur yllin kosovar në skuadër. Kështu të paktën shkruan portali britanik “the72.co.uk”, në një analizë që ia ka bërë futbollistit kosovar. 25 vjeçari u rikthye në Ipswich Town pas katër vjetësh, përsëri në formë huazimi, njëjtë si në vitin 2017, kur kishte përfunduar aty nga Manchester City. Ai i ka zhvilluar 29 ndeshje me “Tractor Boys” në të gjitha kompeticionet.

Bersanti është bërë lojtar mjaft i rëndësishëm i këtij ekipi, të cilin po e udhëheq verë në repartin ofanziv. Kartonin e tij e mban në pronësi klubi francez, Dijon, ku ai nuk arriti të linte gjurmë. Për këtë, Celina u rikthye në futbollin anglez duke pranuar të luajë në ligën e tretë, në tentim për ta rikthyer formën e dikurshme. Në 28 ndeshje në League One, Celina e ka një mesatare impresionuese prej 1.8 pasimesh kyçe për lojë, ndërsa saktësinë e pasimeve e ka prej 80.1%. Aftësitë e tij të jashtëzakonshme e kanë bërë Ipswichin të mendojë ta mbajë atë në ekip, me shpresën që në sezonin e ardhshëm do të garojë në Championshipin anglez. Mbetet të shihet nëse Dijoni do ta lë atë në formë huazimi në Angli edhe për një vit, apo do të mundohet ta shesë përfundimisht kartonin e tij. 

(Kosova Sot Online )