Sot bëhet padia e dytë në gjykatë kundër FFK-së, kësaj radhe nga Gramoz Vokrri

  • S.A /
  • 28 March 2022 - 13:19
Sot bëhet padia e dytë në gjykatë kundër FFK-së, kësaj radhe nga Gramoz Vokrri

Pas klubit të futbollit Vitia, i cili kishte ngritur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në lidhje me procesin zgjedhor për kryetar të saj, sot në gjykatë pritet të dorëzohet edhe një padi tjetër ndaj shtëpisë së futbollit.

Kësaj here FFK-ja e udhëhequr nga Agim Ademi pritet të paditet nga Gramoz Vokrri, i cili do të kërkojë nga gjykata që ta pezullojë Kuvendin e thirrur nga Komiteti Ekzekutiv në krye me Ademin për datën 6 prill
Kjo pasi Vokrri konsideron se në mënyrë të paligjshme FFK-ja e ka refuzuar kandidaturën e tij për kryetar, duke shkuar në zgjedhje veç me kryetarin aktual si kandidat të vetëm edhe për një mandat.

Këtë e ka konfirmuar për medie vet Gramoz Vokrri, i cili tha se avokati i tij do ta dorëzojë padinë në gjykatë në ora 14:00.

“Është e vërtetë, sot do të ngremë padi. Me këtë punë po merret avokati, i cili do ta deponojë materialin në orën 14:00. Për më shumë mund të flisni me avokatin”, ka deklaruar Vokrri.

Përmes kësaj padie Vokrri do të kërkojë pezullimin e Kuvendit të thirrur më 6 prill deri në një vendim tjetër të gjykatës, me pretendimin se kandidatura e tij është refuzuar në mënyrë të paligjshme dhe me pretendimin se i gjithë procesi është i paligjshëm dhe jo statutor, gjë që e ka thënë edhe Departamenti Ligjor i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

(Kosova Sot Online )