Kroatët të lumtur që nuk iu ra Franca në Botëror

  • G.G /
  • 02 April 2022 - 10:05
Kroatët të lumtur që nuk iu ra Franca në Botëror

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kroacisë, Zlatko Daliq, beson se me skuadrën e tij do ta kalojnë fazën e grupeve në Botërorin “Katari 2022”. Kroatët do të luajnë në grup me Belgjikën, Marokun dhe Kanadanë.

Daliq është i lumtur që skuadra e tij nuk do të takohet me Francën, kampionen aktuale të botës, nga e cila Kroacia kishte humbur në finale e Botërorit “Rusia 2018”.

Trajneri kroat ka deklaruar se synim i Kroacisë nuk është kalimi i grupit, por objektivi është më I madh.

“Jam i kënaqur me shortin. Nuk ka grup të lehtë në Botëror sepse atje marrin pjesë shtetet më të forta të kualifikuara përmes garave. Nëse i shikojmë kundërshtarët, atëherë mendoj se jemi të gatshëm të ballafaqohemi me ta. Sigurisht se do ta kërkojmë kalimin nga faza e grupeve, kjo nuk diskutohet”, ka thënë Daliq.

“Ne nuk do ta nënçmojmë asnjë skuadër. Do të shkojmë ndeshje pas ndeshje për të shkuar sa më lartë. Dëshira ime e vetme ka qenë që t’i shmangemi vetëm Francës, me të cilën kemi luajtur shumë kohëve të fundit”, ka deklaruar Daliq.

Kroacia pati shkëlqyer në Botërorin e fundit duke arritur deri në finale e madhe ku ishte mposhtur nga Franca, 4:2. 

(Kosova Sot Online)