Futbollisti ukrainas që po ushtron me Man Cityn: S’mund të luaja më në Rusi

  • G.G /
  • 02 April 2022 - 10:12
Futbollisti ukrainas që po ushtron me Man Cityn: S’mund të luaja më në Rusi

Andriy Kravchuk po ushtron me Manchester Cityn pasi u largua nga klubi rus, Torpedo Moscow.

Ish-futbollisti i Shakhtar Donetskut u largua nga Rusia, e cila e sulmoi vendin e tij ushtarakisht.

Ai ka folur për vendimin që e mori, teksa shpreson që sa më shpejt të bëhet me klub të ri, për të mos e humbur ritmin e formës.

“Nuk po ndihesha rehat. Po luaja në një vend i cili po e sulmonte ushtarakisht atdheun tim. Vendimi i vetëm ishte të largohesha”, deklaroi futbollisti.

Ende nuk dihet nëse Kravchuk do ta sigurojë një kontratë në Angli apo në ndonjë vend tjetër evropian.

FIFA i ka lejuar futbollistët ukrainas që të gjejnë angazhime në klube të tjera në formë huazimi deri në fund të sezonit, për t’u rikthyer më pas prej 1 korrikut në klubin paraprak.

(Kosova Sot Online)